“Kemi besim tek SPAK”/ Xhaxhai i Aleks Nikës: Për 21 Janarin duhet të dënohet Berisha

Pasi dha dëshminë e tij pak pas orës 12, Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Ai shprehu besimin ndaj SPAK për zbardhjen e plotë të vrasjes së nipit në demostratën e vitit 2011, teksa u shpreh se kërkon dënimin e të gjithë zinxhirit drejtues të asaj kohe, duke nisur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
“Kemi prova të reja që do t’i jepen SPAK-ut. Si mundet të vrasin njerëz në Bulevard se kanë ardhur në protestë? Komanda, me kryeministrin e kohës dhe ministrin e Brendshëm të kohës. Duan që “21 Janarin” ta heqin nga kalendari, ne luftojmë vetëm për të vërtetën.
Iu luta që të respektohen të gjitha procedurat, sepse çështja është shumë e thjeshtë për ta hetuar. Del zëri në kasetë. Hetimi do të shkojë edhe tek pjesa se kush i ka fshirë provat. Hetimi buron nga Strasburgu, po të mos ishte Strasburgu çështja nuk do të kërkohej kurrë. Nëse nuk dënohet zinxhiri komandues dosja nuk mund të jetë e zbardhur, përgjegjësia duhet kërkuar tek kryeministri i kohës. Kanë bërë fshehje provash, kanë deformuar plumbin. E thashë edhe në SPAK, kush ka qëlluar në njerëz duhet të përgjigjet për vrasje në bashkëpunim”, ka thënë mes të tjerash ai.
Më herët kujtojmë se për 3 orë dha dëshminë bashkëshortja e Aleks Nikës, Rajmonda Nika, e cila tha se kishte dorëzuar prova të reja, por që nuk mund t’i bënte publike.