Arben Ristani: Tri arsyet, pse opozita në Shqipëri nuk është e besueshme. Kosova ka mësuar prej nesh

Arben Ristani, duke folur në një intervistë për zgjedhjet në Kosovë, ka treguar tri arsyet, përse opozita në Shqipëri, nuk është e besueshme si ajo në Kosovë.

“Duhet që opozita të jetë alternativë e besueshme me program, individë përfaqësues dhe aksion frytdhënës.

Mungesa, apo cedimi nga këto të treja, mund ta bëjë të paorientuar, apo të pabesueshëm aksionin opozitar”, thotë Ristani për “Koha Jonë”.

“Zgjedhjet në Kosovë ishin normale. Me normalitet kuptohet zhvillimi i zgjedhjeve në një ditë të qetë, ku secili ushtron të drejtën e tij Kushtetuese për të votuar, një numërim relativisht i shpejtë dhe korrekt i votës dhe njohja e rezultatit nga palët në proces.

Në fakt Kosova, në mënyrë të përsëritur, zhvillon zgjedhje normale. Normaliteti është rutinë dhe s’ka asgjë për tu përshënderur në këtë drejtim.

Për më tepër përshëndetja prej atyre që nuk janë të aftë të zhvillojnë zgjedhje normale në Shqipëri, është dukshëm hipokrizi.

Blejnë votën, thyejnë kutitë, rrëmbejnë vulat, kërcënojnë dhe abuzojnë administratën shtetrore, kriminalizojnë çdo gjë që prekin, manipulojnë procesin e numërimit, rrjedhimisht zhvillojnë zgjedhje jashtë standarteve të gjithpranuara dhe kanë fytyrë, po të njëjtët kriminelë zgjedhorë, të urojnë Kosovën se i qëndroi normalitetit të saj.

Në këtë kuptim, nga të qënurit normal nuk ke çfarë mëson, madje Kosova duhet të ketë mësuar prej nesh.

Ka mësuar sesa keq është të jesh anormal, sesa vuajnë shqiptarët nga pushtetarët e tyre jo normal.

Ajo që është për tu përshëndetur në Kosovë është kurajoja për të ndryshuar, kurajoja për të mbyllur një epokë dhe për të nisur një tjetër”, shprehet më tej ai.(TemA)

Back to top button
LAJMET E FUNDIT