“Vendimi i Holandës s’ka lidhje me ne. BE, një familje e madhe interesash”

Seanca plenare e ditës së enjte është zhvendosur ditën e sotme.

Kryeministri Edi Rama po komenton debatin në Parlamentin e Holandës lidhur me vendimin për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.

Rama e cilësoi debatin si çështje e brendshme e atij shteti.

“Ai debat ishte një mundësi për të kuptuar të gjithë sesa e pa vërtetë dhe sa e padrejtë është e tërë propaganda që synon të lidhë luftën e  brendshme politikën në Shqipëri me qëndrimet e disa vendeve, ndër të cilat është dhe Holanda. Në debatin e djeshëm holandez gjithëkush e ka parë sesi gjithë çështja e ecurisë së mëtejshme të Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut është trajtuar si çështjen e politikës së brendshme të atij vendi.

Të gjitha fjalimet e bëra në Parlament i janë drejtuar elektoratit të atij vendi, në gjithë qasjen e partive është përvijuar i gjithë debati i brendshëm me forcat pro dhe kundër zgjerimit, me zërat që fuqizojnë mesazhin e nevojës për të zgjeruar procesin e zgjerimit dhe zërat që fuqizojnë nevojën për të ndaluar zgjerimin. Besoj që u ka mjaftuar të gjithë atyre që në mënyrë vulgare dhe të pabesë janë munduar të paraqesin një tablo të pikturuar sipas ngjyrave të tyre politike.

Në këtë pikë, të paktën me fjalë, të gjitha partitë në Shqipëri janë të bashkuara. Ata që janë përjekur të thonë se ndarja në propagandë apo qëndrime mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do të çojë në një ndarje në gjykimin e përgjithshëm jo vetëm kanë gabuar, por kanë dështuar në përgatitjen e një terreni politik këtu në funksion të axhendës së tyre politike”, tha Rama.

“Vendimi i Këshillit nuk ka lidhje fare, po fare me çfarë kemi bërë apo jo. Nuk mendoj se Franca qënka më lart në këndvështrimin e saj ndaj të gjitha çështjeve ndaj të cilave Gjermania është më afër për arsye të standardeve të tjera. Thelbi qëndron në një situatë në BE që nuk ka lidhje me ne, ku ne përfshihemi si rrjedhojë, por jo si burim, si pasojë, por jo si shkak.  Nuk jemi ne shkaku që BE nuk mban një qëndrim të prerë. I patë në parlamentin holandez dje ata që flisnin kundër Maqedonisë, që sipas të tjerëve dhe komenteve këtu, nuk ka asnjë problem. I patë se si u futën në debat duke e bërë copë vendin tjetër.

Po ata çfarë ishin ata? Dinë më shumë? Absolutisht jo, është vetëm cështje e qasjes ndaj BE-së në tërësi, ndaj procesit të zgjerimit dhe patjetër ndaj elektoratit të tyre. Kemi hyrë në lojë shumë më të komplikuar, kemi arritur në fazën ku po kërkojmë që të ngjitemi në një tjetër nivel të marrëdhënieve me një familje të madhe interesash. Dhe në atë familje të madhe interesash shikohemi në bazë të interesave”, tha ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT