Athina zyrtare: Hapje negociatash me kushte për Shqipërinë dhe MV

Gjatë fjalës së tij në parlamentin grek ditën e sotme, zëvendës ministri i jashtëm i Greqisë Miltiadhis Varvitsiotis u shpreh se Greqia do t’i bashkohet vendeve që kërkojnë të avancohet me procesin e integrimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Me sa duket Athina zyrtare nuk do të vërë veto për hapjen e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë. Por, sipas zëvendës ministrit, negociatat për të dy vendet duhet të hapen me kushte.
Varvitsiotis tha: “Greqia ka mbështetur gjithmonë perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi e konsideron si një instrument për paqen dhe stabilitetin në rajon”, duke theksuar se veçimi i procesit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të destabilizojë Ballkanin.
Duke folur për çështjet e jashtme të Greqisë, zëvendës ministri theksoi se është e rëndësishme që qeveria greke të jetë në një linjë me opozitën, për të shmangur atë që ndodhi me Marrëveshjen e Prespës.