Kryeministri Rama uron Vangjel Tavon me videon e veçantë, thirrja për emigrantët shqiptarë

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka reaguar për fitoren e zgjedhjeve në Bashkinë e Himarës.

Fitoren e Vangjel Tavos, kandidatit të PS-së, kreu i qeverisë e ka quajtur spektakolare. Rama thekson se Himara do të kthehet një prej destinacioneve më të kërkuara të Mesdheut.

Teksa ka publikuar një video të veçantë ku shfaqet bashkë me Tavon në takim me mbështetës, Rama iu bën thirrje emigrantëve shqiptarë që të kthehen të punojnë dhe investojnë në këtë bashki.

“Mirëmëngjes dhe me urimin për kryebashkiakun e ri të Himarës për fitoren spektakolare, kënaqësinë e mbështetjes domethënëse për Partinë Socialiste në zgjedhjet e djeshme, si edhe vendosmërinë për ta kthyer Himarën2030  në një prej destinacioneve më të kërkuara të Mesdheut, ku në radhë të parë të gjithë ata që punojnë në industrinë turistike në Greqi, të kthehen për paga më të mira e për ajrin e pazëvendësueshëm të vendlindjes, ju uroj të gjithëve një javë sa më të qetë”, u shpreh Rama.

Rezultatet e publikuara nga KQZ tregojnë se Tavo ka marrë 5022 vota, nga 58.62% e zgjedhësve.

Kundërshtari i tij, kandidati i opozitës, Petro Gjikuria është mbështetur nga 3545 qytetarë, ose 41.38 e zgjedhësve.

Diferenca mes dy kandidatëve është 1477 vota.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT