“Mini Shengeni”, Vuçiç flet si Rama: Nëse nuk çelen negociatat, nuk është faji juaj

Presidenti i Serbisë, Alexandar Vuçiç, tha se ai shpreson që Bashkimi Europian të nisë bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Shpresoj që BE të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe nëse kjo nuk ndodh, dua t’u them qytetarëve që nuk është faji i tyre pasi BE ka arsye të veta të brendshme”, tha Vuçiç.
Sa i përket marrëveshjes së cilësuar si “Mini Shengenit ballkanik”, Vuçiç tha se ajo do të bazohet në katër pika: lëvizjen e lirë të kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.
“Shumë do ta quajnë këtë takim një takim revolucionar dhe pavarësisht se nuk mendoj që është i tillë, mendoj se është me shumë rëndësi për vendet tona. Dokumenti që do të shihni mbështetet në zbatimin e katër lirive kryesore që janë të gjithëpranuara ndërkombëtarisht e të nxitura nga Bashkimi Europian”, tha Vuçiç.
Presidenti serb tha se takimi i radhës mes tre liderëve do të mbahet në Ohër më 10 nëntor, ku palët do të vijnë me masa edhe më konkrete.