Rama: Nuk do presim BE-në sa të gjejë kohën të merret me ne

Edi Rama, Alekandar Vuçiç dhe Zoran Zaev u zotuan sot se do të çojnë përpara të gjitha angazhimet që kanë marrë për bashkëpunimin e thellë midis tre shteteve.
Duke folur në konferencën e përbashkët me presidentin serb dhe kryeministrin maqedonas, ai shqiptar Rama tha se Ballkani Perëndimor nuk është më prioritet i Bashkimit Evropian, por kjo nuk duhet t’i pengojë tre shtetet që çojnë përpara axhendën e bashkëpunimit.
“S’ka ndryshim axhende në raport me partnerët ndërkombëtarë, por ka një ndryshim formati që është i ndërtuar mes nesh pa pritur që Bashkimi Evropian të ketë kohë të merret me ne. Le ta themi siç është realiteti, ne nuk jemi prioriteti i BE-së, prioritieti i tyrë është procesi ku kanë hyrë për të reformuar veten. Ne nuk mund të presim të bëhemi prioriteti i BE-së, por të avancojmë duke strukturuar një veprim shumë më aktiv”, u shpreh Rama.
Kryeministri shqiptar garantoi se në bashkëpunimin midis tre shteteve nuk ka asgjë të panjohur nga çfarë është diskutuar më parë edhe me shtetet e tjera të rajonit.
Ai shtoi se “të tre shtetet e tjera të Ballkanit të Perëndimor janë të mirëpritura në takimin e radhës, në 10 nëntor”.
“Kam dëgjuar shumë kritika të cilat nuk sjellin alternativa, por nisen nga ‘status quo’-ja dhe nga e shkuara”, tha Rama.
Kosova nuk është dakord me këtë nismë pasi e konsideron atë si avancim të interesave serbe në rajon, veçanërisht në raport me Kosovën.
