PD kërkoi t’i hiqej mandati/ Deputeti i PS: Dhuroj rrogën për të ndihmuar njerëz, nuk kam përfituar asnjë lek…

Deputeti i PS, Vullnet Sinaj ka reaguar pasi PD kërkoi heqjen e mandatit të tij si deputet.
Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, Sinaj shprehet se ai ka dhënë dorëheqjen nga menaxhimi i të gjitha bizneseve të tij që prej vitit 2017, pasi u zgjodh deputet. Ai shton se nuk ka përfituar para nga buxheti i shtetit, e madje, shton se jep pagën e tij mujore të deputetit për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i paraqiti kërkesë Kuvendit të Shqipërisë për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit të Partisë Socialiste, Vullnet Sina me argumentin, se ai ka përfituar miliona lek nga buxheti i shtetit përmes kompanisë së tij private.
Postimi i plotë i Vullnet Sinës:
Mësova me habi dhe jo pa humor, kërkesën për mocion të Partisë Demokratike për heqjen e mandatit tim si përfaqësues i Partisë Socialiste në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Gjobëvënësit mediatikë e përsërisin këtë këngë gjinkallash nga viti 2017. Por, surpriza është që thashethemet e portaleve përdoren nga opozita duke i kthyer në akte politike.
Për sa më sipër, deklaroj me përgjegjësi të plotë:
– Në zbatim të nenit 70, pika 3 e Kushtetutës, nga viti 2017 kam dhënë dorëheqje nga administrimi i të gjitha bizneseve të mia, duke iu përkushtuar vetëm politikës.
– Me vendimet e depozituara në QKB në vitin 2017, kam vendosur transferimin e të gjitha kuotave të kompanive, sipas ligjeve në fuqi.
– Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet.
Për më tepër, dhuroj prej vitesh rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe as më shkon mendja të përfitoj financiarisht nga buxheti i shtetit.