EMRAT/ Kush janë shqiptarët që vranë Dritan Idrizin në Itali, dëshmia e njërit prej tyre: Bërtiste ‘Vritini të gjithë!’

Vijojnë hetimet për të zbardhur motivet që fshihen pas vrasjes së Dritan Idrizit dhe plagosjen e 4 të tjerëve në qytetin Talluvia të Italisë, mbrëmjen e 7 Gushtit.
Të arrestuar deri tani janë Artur Cerria, autori i vrasjes së 38-vjeçarit, dhe Gili Quedari, 28 vjeç, mik i viktimës, si dhe Admir Shoshari, 54 vjeç, daja i viktimës.
Media italiane ka zbuluar se Dritan Idrizi dhe 2 miqtë e tij, me lidhje farefisnore mes tyre, Quedari dhe Shoshari, kishin shkuar tek shtëpia ferme ku jetonte Artur Cerria me gruan dhe djalin e tij. Shkak ishte marrja e shumës prej 5 mijë euro që viktima pretendonte se i detyrohej Cerria.
Por ky i fundit ka refuzuar të paguajë dhe më pas debati degradoi me përleshje jashtë shtëpisë. Cerria u godit me një çekiç në qafë dhe në atë moment është mbrojtur duke e qëlluar me thikë Dritan Idrizin. Të gjithë ishin të pranishëm në momentin e sulmit dhe po të gjithë përfunduan në urgjencën e spitalit Pesaro.
Në dëshminë e tij, autori Cerria u tha hetuesve se kishte dëgjuar gjatë përleshjes të thuhet: “Vritini të gjithë!”
Më pas është thirrur policia, ndërsa agresorët ishin larguar duke marrë me vete dhe Dritan Idrizin. 38-vjeçari është dërguar në spitalin e Cattolica ku ka mbërritur i vdekur. Mjekët thanë se i riu kishte shkuar me tre plagë me thikë, një në zemër, një në shpretkë dhe tjetrën në gjoks dhe se kishte humbur shumë gjak, çka i kishte shkaktuar edhe shok hemorragjik.
Mediat italiane shkruajnë se marrëdhëniet mes dy familjeve kanë qenë të tensionuara prej disa kohësh. Mosmarrëveshjet datojnë disa vite më parë prandaj veç personave që kanë qenë të pranishëm në sulm do të merren në pyetje dhe familjarë të tjerë të Cerrisë dhe një shok i tij, i cili po hetohej për trafik droge në masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ pikërisht në banesën e Cerrisë.
Të gjithë të implikuarit në përleshje, përfshirë edhe viktimën, kanë një histori të trafikut të drogës. Vetë viktima gjithashtu është ndaluar dhe hetuar për shitje droge në Itali, gjatë vitit 2019. Ai ishte në masë arresti shtëpiak, të cilën e kishte thyer gjatë fillimit të këtij viti. Më 5 janar 2024, policia shqiptare e ndaloi Dritan Idrizin për llogari të vendit fqinj, pasi ishte në kërkim për thyerjen e masës së arrestit, mbi çështjen e mëparshme të drogës. Por pas disa ditësh paraburgimi masa u lehtësua dhe u la të ndiqej në gjendje të lirë, të kthehej në Itali për të vijuar procedimin me masën e mëparshme.
Dritan Idrizi banonte në Riccione të Italisë, ishte i divorcuar dhe babai i një vajze të mitur.