Çfarë feston kjo bashki me banderola greqisht më 28 tetor me lekët e shqiptarëve?

Dokumentat ekskluzive të një tenderi të Bashkisë Dropull, që drejtohet nga Dhimitraq Toli, dëshmojnë se nëpërmjet fondeve publike, kjo bashki kërkon nga një firmë private, prodhimin e disa banderolave në gjuhën greke. Sipas dokumentave, të siguruar nga gazeta Shqip, banderolat i nevojiten këtij institucioni për një aktivitet në datën 28 tetor.
Kjo datë përkon me 1 vjetorin e vrasjes së Konstantinos Kacifas, ekstremisti grek që kundërshtoi me armë policinë shqiptare. Por në të njëjtën ditë, është edhe festa kombëtare në Greqi, që njihet si “Dita e JO-së”, për shkak të luftës Italo-Greke.
Se cilën prej këtyre ngjarjeve do të përkujtojë Bashkia e Dropullit në një aktivitet me banderola në gjuhën greke është akoma mister, por është fakt është që fondet publike shqiptare po përdoren për të prodhuar banderola në gjuhën greke, për një festë që nuk ka lidhje me Shqipërinë. Kjo do të ishte e barazvlefshme që në Greqi të alokohen fonde për festën e pavarësisë së Shqipërisë apo përkujtimore për çamët.
Në dokumentet e depozituara në Agjencinë e Prokurimit Publik, janë edhe specifikimet e tenderit, për mënyrën sesi duhet të jenë banderolat. Sipas kërkesës së kryebashkiakut të Dropullit, e pasqyruar në dokumentat në fjalë, banderolat duhet të jenë me përmasa 6.5 metra e gjatë dhe 70 centimetra të gjera, të gjitha në gjuhën greke.
Në dokument thuhet: “Materiali i tyre të jetë prej plastmasi, fondi të jetë i bardhë. Në mes të shkruhen me shkronja kapitale ngjyrë blu e errët. Shkrimi i shkronjave të jetë 30cm dhe hapësira midis tyre të jetë 8-9cm”.
Më 28 tetor 2018, rreth 1 vit më parë, në Bularat të Gjirokastrës u vra Konstantinos Kacifas, një ekstremist grek që kundërshtoi me armë policinë shqiptare. Edhe në atë kohë, në Dropull po festohej dita e “JO”-së, ndërsa mediat greke e përcollën këtë lajm si një luftë kundër minitoriteti grek në këtë zonë të Shqipërisë. Mbetet për tu parë, nëse në datë 28 Tetor, aktiviteti do të jetë për festën kombëtare të Greqisë, apo për vrasjen e ekstremistit grek Kacifas./GSh


