Rama thirrje emigrantëve: Kthehuni, të punosh në Itali e Greqi, nuk është më mirë se në Ksamil e Theth

Të punosh në turizëm në vendet fqinje si Greqia, Italia, apo çdo vend tjetër europian, për kryeministrin Edi Rama nuk është më mirë se të punosh në Shqipëri, nga Thethi e deri në Ksamil.
Ai u bën thirrje emigrantëve shqiptarë që punojnë në këtë sektor, të konsiderojnë vendin e tyre për të punuar pasi pagat janë rritur ndjeshëm.
“Taksat e shpenzimet shumë më të ulëta se sa kudo gjetkë, e bëjnë sot punën në sektorin e turizmit shqiptar një zgjedhje më të mirë se sa në vende të tjera rrotull”, thekson Rama.
Kreu i qeverisë i referohet një artikulli të revistës Monitor sipas të cilit pagat në turizëm për kamerierë e sanitarë janë më të larta se punonjësit e bankave, duke arritur deri në 1000 euro në muaj.