Gjyqtari i dorëhequr përpara Vettingut, qindra ha pyje dhe troje

Ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, sot gjyqtar i Apelit, Astrit Haxhialushi, ka vendosur të japë dorëheqjen nga funksioni i gjyqtarit.
Më 11 shtator 2018, Astrit Haxhialushi është përzgjedhur përmes shortit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, për t’ju nënshtruar verifikimit për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësisë profesionale.
Sipas të gjitha gjasave, gjyqtari mund të jetë njohur me rezultat e hetimit, ndonëse nuk ishte caktuar një datë për paraqitjen e tij në Komisionin e Vetingut, shkruan shqiptarja.com.
Nuk dihen se në çfarë konkluzioni ka arritur KPK-ja, por nga deklarata e pasurisë që ka depozituar pranë ILDKPKI, rezulton se gjyqtari ka në pronësi me qindra hektarë pyje, ullinj, arë dhe troje, të trashëguara sipas tij nga babai.
Ai deklaron ¼ e 58 000 m2 ullishte, ¼ 38000 m2 arë në Shetaj të Durrësit, ¼ e 631.7 hektar në Pyllin e Myzhlit, ¼ e 1308.5 ha në Pyllin e Bizës etj.
Në deklarim shihen sipërfaqe trualli edhe në Vorë dhe në Gjirin e Lalzit.
Gjyqtari ka deklaruar gjithashtu se nëna e tij është pronare me 1/5 e një objekti dhe aktiviteti që ushtron ‘Fabrika e vajit të ullirit’, Peqin, etj.
Haxhialushi ka në pronësi gjithashtu disa apartamente në Tiranë.
Pronat e tij dhe të bashkëshortes janë deklaruar përgjithësist si “dhurata nga prindërit”.