Vrasja me armë zjarri e të rinjve në Velipojë, arrestohen dy persona! Ja roli i tyre (EMRAT)

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Velipojë, ku humbën jetën dy të rinj, Ersild Ishmi dhe Arsid Hoxha.
Mësohet se Policia e Shkodrës ka vënë në pranga dy persona, që dyshohet se janë bashkëpunëtor në ngjarjen kriminale. Korrespondenti i Top Channel, Klodian Zhivani bën me dije se ata janë të dy punonjës në hotelin e familjes Frroku, të identifikuar si Mario Palin dhe Zyber Zagrad, ky i fundit u plagos mbrëmjen e kaluar me një plumb në këmbë. Të dy janë përfshirë në përplasjen fizike që përfundoi me dy viktima.
Ndërkohë, dy vëllezërit Eduard dhe Gëzim Frroku vijojnë të jenë në kërkim si autorët e ngjarjes.
Sipas informacioneve, ngjarja është e lidhur me një konflikt të mëparshëm që ka ndodhur më 28 qershor. Në atë datë, një debat kishte shpërthyer mes kamerierit dhe kuzhinierit të një lokali dhe pronarëve të hotelit, Eduart dhe Gëzim Frroku.
Shtetasi Ersild Ishmi kishte ardhur për të diskutuar me pronarët për shkak të lidhjeve miqësore që kishte me kamerierin dhe kuzhinierin. Për këtë ngjarje, si rezultat, Ishmi ishte arrestuar dhe më vonë ishte liruar me masën arrest shtëpie nga gjykata, masë e cila ishte në fuqi deri natën e sotme.
Mbrëmjen e djeshme, Ishmi dhe Hoxha u qëlluan me armë zjarri nga dy vëllezërit Frroku, ndërsa vdekja e tyre u konfirmua në Spitalin Rajonal të Shkodër.