“Nuk janë ekstraduar por…”/ Gazetari ZBULON të vërtetën për sjelljen në Shqipëri nga Dubai të Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj

Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar detaje të reja lidhur me ndodhitë që kanë çuar në deportimin e dy personazheve të njohur të krimit shqiptar, Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj, nga Dubai në Shqipëri.
Sipas Hoxhës, të dy nuk janë ekstraduar, por janë deportuar nga autoritetet e Dubait për shkak të shkeljeve të rregullave të qëndrimit. Ngjarja që ka sjellë këtë rezultat ndodhi gjatë një ndeshjeje boksi të reklamuar gjerësisht, e mbajtur në Dubai në fund të korrikut. Në intervistën e dhënë për Euronews gazetari tha se aktiviteti kishte tërhequr një numër të madh shqiptarësh dhe kishte përfshirë edhe disa personazhe të njohura që jetojnë në qytet.
Gjatë ndeshjes, ka ndodhur një konflikt mes Dervishaj dhe Meçajt me një tjetër personazh të lidhur me grupet kriminale në Shqipëri, i cili ka bërë kallëzim ndaj tyre në autoritetet e Dubait. Sipas Hoxhës, këto konflikte, që përfshinin edhe përplasje fizike, janë verifikuar nga kamerat e sigurisë dhe kanë çuar në një ndihmë të mëtejshme për të zbardhur situatën.
Pasi janë verifikuar akuzat dhe dhuna e ushtruar, autoritetet e Dubait i kanë bërë të qartë Dervishaj dhe Meçajt se kishin shkelur rregullat e qëndrimit dhe për këtë arsye janë deportuar në Shqipëri. Të dy kishin leje qëndrimi të rregullt në Dubai, por shkeljet e rregullave për qëndrimin e tyre kanë çuar në këtë vendim.
“Në fund të korrikut, ka patur një ndeshje boksi e cila është reklamuar shumë edhe në mediat shqiptare, e një boksieri shqiptar me një boksier të huaj. Kjo ndeshje është realizuar në një ambient në Dubai ku ka patur një pjesëmarrje shumë të madhe të shqiptarëve mes tyre edhe personazhe të tilla që jetojnë atje. Në atë aktivitet janë përplasur shqiptar që kanë pasur probleme të mbartura. Bëhet fjalë për një personazh i cili është pjesë e grupeve të kryeqytetit i cili më parë ka pasur njohje me Plarent Dervishin dhe me Julian Meçen dhe më pas kanë pasur një konflikt me një pjesëtar tjetër të grupit. Mesa duket aty ka pasur përplasje fizike.
Autoritetet e Dubait kanë arritur ta konfirmojnë këtë se ndaj këtij qytetari është ushtruar dhunë, i cili më pas ka shkjuar e ka bërë kallëzim. Për shkak të këtij kallëzimi policia e Dubait ka bërë verifikimin me kamerat e sigurisë dhe ka rezultuar se denoncimi ka qenë i saktë. Ata kanë shkuar në vilën ku qëndronte Plaurent Dervishi dhe në fillim i kanë thënë që po e marrin që të mos ketë një goditje ndaj tij, gjithashtu i kanë bërë të qartë se ai ka shkelur rregullat e për këtë arsye ai do të riatdhesohej. Pra ai nuk ka ardhur me masë ekstradimi, ai dhe Julian Meçaj kanë ardhur sepse kanë shkelur rregullat e qëndrimit në Dubai. Të dy kanë qenë me leje qëndrimi të rregullt në Dubai”, – tha Artan Hoxha.