Misteri i mbytjes së jahtit në Siçili/ Mes të zhdukurve “Bill Gates britanik” dhe avokati që hetoi sulmin mbi kullat binjake

Një tragjedi me 6 persona të zhdukur u regjistrua ditën e djeshme në brigjet e Siçilisë, pasi një superjaht u përmbys për shkak të një tornadoje.
Tashmë kanë nisur kërkimet për të gjetur pjesëtarët e ekuipazhit, të cilët janë identifikuar të gjithë. Jahti luksoz mbante 22 persona, teksa 15 persona u shpëtuan, përfshirë një vajzë britanike njëvjeçare. Po ashtu, trupi i kuzhinierit u nxorr i pajetë.
Por kush janë super-miliarderët që dyshohet se janë bllokuar për vdekje brenda jahtit luksoz?
Manjati i teknologjisë në Mbretërinë e Bashkuar, Mike Lynch, 59 vjeç, dhe vajza e tij Hannah, 18 vjeç, u raportuan të zhdukur pas incidentit të rëndë. Mike Lynch njihet nga disa si “Bill Gates britanik”. Ai bashkëthemeloi kompaninë e softuerit Autonomy, përpara se t’ia shiste atë gjigantit amerikan të kompjuterave Heëlett-Packard (HP) në 2011 për 11 miliardë dollarë.
Por një betejë e fortë ligjore ra mbi Lynch për më shumë se një dekadë. Ai u lirua në SHBA në qershor për akuza të shumta mashtrimi, për të cilat ai ishte përballur me dy dekada burg. Dyshohet se Lynch kishte ftuar anëtarët e ekipit të tij ligjor në jaht për të festuar lirimin e tij.
Mbytja e jahtit ndodhi në të njëjtën ditë kur i bashkëpandehuri i Lynch në rastin e mashtrimit, Stephen Chamberlain, u konfirmua nga avokati i tij se kishte vdekur pasi u godit nga një makinë në Cambridgeshire të shtunën.
Nga ana tjetër, gruaja e Lynch, Angela Bacares, ishte një nga 15 personat e shpëtuar. Ajo emërohet si pronarja e vetme ligjore e “Revtom”.
Në mesin e të zhdukurve është edhe avokati Chris Morvillo. Morvillo ka punuar në rastet e korrupsionit të profilit të lartë, duke përfshirë gjyqin e fundit të Lynch. Ai gjithashtu punoi në hetimin penal rreth sulmeve terroriste të vitit 2001 në Qendrën Botërore të Tregtisë, Kullat Binjake, si ndihmës avokat i SHBA nga viti 1999 deri në 2005.
Kryetari i bankës “Morgan Stanley International”, Jonathan Bloomer është gjithashtu një nga gjashtë personat që mbeten të zhdukur. 70-vjeçari britanik është gjithashtu kryetar i kompanisë së sigurimeve “Hiscox”.
Kryetari i “Morgan Stanley International”, Jonathan Bloomer dhe gruaja e tij gjithashtu nuk janë gjetur ende. Bloomer është një mik i ngushtë i zotit Lynch dhe u konfirmua i zhdukur nga autoritetet italiane së bashku me gruan e tij.