Alergjia prej fletvotimeve të ardhura nga Serbia/ Reagon VV dhe Gjuriç

Gjatë procesit të verifikimit të votave të ardhura nga Serbia, 26 zyrtarë kosovarë kanë shfaqur shenja alergjie në fytyrë dhe duar, ndërsa sipas raportimeve të mediave në Kosovë, zarfet mbanin një erë.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Sipas VV “Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por në kundërshtim me ligjin janë sjellë nga zyra ndërlidhëse e Serbisë”.
Po ashtu ka reaguar edhe Marko Gjuriç, drejtuesi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe. Sipas Gjuriçit, kjo është një lëvizje për të manipuluar votat e serbëve në Kosovë, me qëllim që me çdo kush në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht vullnetit të serbëve, të futen “serbët e Kurtit”. Ai gjithashtu fyeu politikanët e Kosovës duke i quajtur budallenj shovinistë.
Marko Gjuriç tha: “Nga kjo çfarë ndodhi sot duhet parë të gjithë se çfarë budallenjsh shovinistë në Prishtinë merren me politikë, dhe e gjithë kjo bëhet që serbët prapë rrejshëm të akuzohen dhe të ekspozohen ndaj urrejtjes, me qëllim që nga mllefi i katastrofës zgjedhore të nxirren Rada Trajkoviq dhe kandidatët tjerë të Kurtit”
Reagimi i plotë i Vetëvendosjes:
Helmimi i punonjësve të operacionit të votimit përmes postës ka shqetësuar familjarët e stafit, por edhe opinionin publik. Autoritetet shtetërore duhet të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë.
Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë.
Këto fletëvotime të sjellura kundërligjshëm duhet të refuzohen. Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata.
Pakot me fletëvotime të dërguara nga bashkatdhetarët, e të cilat janë verifikuar dhe vlerësuar, duhet të dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për t’u numëruar.