Pezullohet tenderi i “Lungomare II”, skualifikohet kompania me ofertën më të ulët

Komisioni i Prokurimit Publik pezulloi tenderin 3.8 milionë euro për fazën e dytë të Lungomares në Vlorë, pasi Fondi Shqiptar i Zhvillimit skualifikoi ofertën më të ulët, duke shpallur fituese kompaninë e dytë.

Tenderi për investimin simbol të qeverisë në qytetin e Vlorës u zhvillua në 12 shtator.

Në garë morën pjesë 6 kompani, ku oferta më e ulët u paraqit nga “Curri SHPK” me 2.9 milionë euro, ose 900 mijë euro më pak se vlera limit. Por Fondi shqiptar i zhvillimit e skualifikoi me pretendimin se nuk përmbushte kriteret teknike, duke shpallur fituese ofertën e dytë, atë të kompanisë “Fusha”.

Sipas Agjencisë së Prokurimit, “Fusha” ka ofruar ta ndërtojë segmentin e dytë të Lungomares me një çmim 3.1 milionë euro ose 200 mijë euro më shumë se oferta më e ulët. Menjëherë pas shpalljes së rezultatit, kompania Curri e ka ankimuar vendimin e fondit shqiptar në komisionin e prokurimit publik duke pretenduar se është skualifikuar pa të drejtë.

Gjatë këtij viti, thuajse të gjithë tenderat e mëdhenj të rrugëve janë shoqëruar me polemika, për shkak se autoritetet kontraktore kanë skualifikuar ofertat më të ulëta, gjithmonë duke përdorur si motiv kriteret teknike. Para Lungomares, e njëjta gjë ka ndodhur edhe në tenderin e Kardhiq- Delvinë dhe atë të unazës së Tiranës.

Më pas, të dy garat u ankimuan në Komisionin e prokurimit dhe konflikti çoi në largimin nga detyra e ish- drejtoreshës Sonila Qato.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT