Conte në Tiranë, propozon një “platformë” për zgjidhjen e krizës politike

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sëbashku me kryeministrin e Italisë, Giuseppe Conte kanë dalë në një konferencë për mediat, pas takimit në kryeministri.

Kryeministri Rama shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë për integrimin e vendit në BE, duke shtuar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë hapjen e negociatave.

Rama tha: “Dita e sotme ishte e ngarkuar me punë, por jemi këtu për të dëshmuar një miqësi tradicionale dhe njëkohësisht për të shprehur vullnet të thelluar bashkëpunimi të shkëlqyer mes dy vendeve, ku pa diskutim ka për të bërë akoma më tepër. Pa diskutim që vizita e kryeministrit italian në Tiranë sot është në kuadrin e një datë të rëndësishme për Europën dhe Shqipërinë, ku ndër të tjera do diskutohet edhe vendimi për çeljen e negociatave me Tiranën.

Prandaj dua të falënderoj kryeministrin Conte dhe qeverinë italiane që nuk janë lëkundur për asnjë moment në mbështetje të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe gjithë këtij rajoni në perspektivën për t’u anëtarësuar në BE. Shqipëria dhe Maqedonia e veriut meritojnë hapjen e negociatave. Ne nuk jemi në këtë proces se na e kërkon BE, por se atë e kërkon e ardhmja dhe se po luftojmë për një Shqipëri europiane, për shtet të së drejtës dhe demokraci të zhvilluar”.

Gjatë deklaratës së tij, Conte u shpreh se mazhoranca duhet t’i propozojë opozitës një platformë për zgjidhjen e krizës, ndërsa theksoi se dialogu duhet të zhvillohet pa kushte nga të dyja palët.

Conte deklaroi: “Populli është shprehur pro anëtarësimit në BE, dhe kjo përbën një tjetër shtysë. Rama më konfirmoi se është i vendosur që të vijojë në realizimin e reformave, kryesisht të Reformës në Drejtësi. Një pjesë e bisedës sonë u ndal te bashkëpunimi më i thelluar në luftën ndaj kriminalitetit dhe trafiqeve të paligjshme.

Vëmendja jonë është përqendruar te aftësia e Shqipërisë për të zgjidhur krizën politike, që do tregojë dhe një sinjal të pjekurisë politike dhe institucionale. Mazhoranca dhe opozita kanë interes ta zgjidhin këtë krizë. Është e rëndësishme që mazhoranca t’i propozojë opozitës një platformë për zgjidhjen e krizës dhe dialogu të zhvillohet më tej pa kushte”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT