Shifrat e BSH: Një në tre familje shqiptare merr hua për të përballuar shpenzimet për nevojat jetike të konsumit

Të dhënat e vrojtimit të Bankës së Shqipërisë vënë theksin te një problematikë e vazhdueshme e familjeve shqiptare, varfëria.
Sipas të dhënave të BSh, një në tre familje shqiptare merr hua për të përballuar shpenzimet për nevojat jetike të konsumit.
Vërehet një rritje në numrin e familjeve me të ardhura të ulëta, deri në 17 mijë lekë në muaj.
Vëzhgimi i Bankës së Shqipërisë për 6 mujorin e parë të këtij viti tregon se huatë merren në përqindje të konsiderueshme edhe për blerje ose riparim prone si dhe për zhvillim të një biznesi.
Por megjithëse në krahasim me një vit më parë ky zë ka pësuar ulje, përsëri përqindja e familjeve që i drejtohen huamarrjes për nevojat elementare të konsumit është e konsiderueshme.
Nga vrojtimi, gjithashtu rezulton se ka pasur një rritje të numrit të familjeve që jetojnë me të ardhura të ulëta mujore, deri në 17 mijë lekë. Në fakt, sipas të dhënave, ato përbëjnë rreth 11% të familjeve shqiptare.
Po sipas këtij vrojtimi, pjesa më e madhe e familjeve, rreth 53% e tyre, vijon të mbetet në nivelin ‘17-50 mijë lekë në muaj. 27% e familjeve deklarojnë të ardhura mujore 50-100 mijë lekë. Ndërsa vetëm 7% deklarojnë të ardhura në nivelin 100-200 mijë lekë në muaj.
Rënia e të ardhurave të familjeve lidhet edhe me uljen e numrit të të punësuarve. Në 6 muajt e parë të këtij viti, ky tregues është ndikuar edhe nga ulja e numrit të të vetpunësuarve, por edhe prej rasteve të largimeve nga puna në administratën shtetërore.