Kosova tërheq kërkesën për anëtarësim në INTERPOL

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj, ka kërkuar tërheqjen e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) dhe shtyrjen e kësaj kërkese për vitin e ardhshëm.

Në deklaratëm për mediat të Haradinajt, ndër të tjera, thuhet: “Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, bazuara në kompetencat si Kryeministër në detyrë, sot kam kërkuar shtyrjen e votimit të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, për vitin e ardhshëm”.

Kosova kishte aplikuar për pranim në këtë organizatë në janar të këtij viti dhe kërkesa e saj ishte pranuar nga Komitetit Ekzekutiv i Interpolit. Mësohet se Kosova, gjithashtu ishte ftuar të merrte pjesë në asambleja e përgjithshme të organizatës, e cila këtë vit organizohet 15-18 tetor në Kili.

Sipas analistëve vendas, për anëtarësim në INTERPOL, Kosova nuk ka pengesë politike, në kuptimin që nuk është kusht për anëtarësim në këtë organizatë të qenit ose jo anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu, sipas tyre, Kosova i plotëson edhe kriteret operacionale dhe teknike për të qenë pjesë e kësaj organizate policore. Por, problemi kryesor në këtë rast për Kosovën është beteja politike për të siguruar votat e dy të tretave të anëtarëve të INTERPOL-it, të nevojshme për anëtarësim, që nënkupton votat e 120 deri në 126 vendeve. Këto vota, Kosova nuk ka arritur t’i sigurojë në tentimin e vitit të kaluar për anëtarësim, në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it në Dubai dhe situata nuk duket e favorshme për Kosovën as në 2019.

Eksperti shprehet: “Unë mendoj që ka qenë një hap i ngutshëm sepse jam më se i bindur që edhe brenda dikasterit qeveritar e dinë sigurt që nuk kanë votat e mjaftueshme për të kaluar dhe në këtë rast, pa qenë të sigurt, është vetëm edhe një fiasko e llojit të UNESCO-s, të herës së kaluar. Edhe ky aplikimi i ri, pa qenë të sigurt, vetëm se e poshtëron Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe e zbeh pozicionin e saj gjatë dialogut (me Serbinë)”.

Ai ka shtuar që për të realizuar ambiciet për anëtarësim në INTERPOL, diplomacia e Kosovës është dashur të punojë ngushtë me aleatët perëndimorë, gjë që sipas tij, nuk ka ndodhur në qeverisjen e kaluar. Për më shumë, sipas tij, relacionet që kanë ekzistuar ndërmjet Kosovës me partnerët perëndimorë, janë zbehur.

Megjithatë, njohësit e aspekteve të sigurisë në Serbi, konsiderojnë që anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL do të ishte me përfitim edhe për Serbinë, në rast se ekziston qëllimi serioz në luftën kundër krimit të organizuar dhe kërcënimeve të tjera të sigurisë.

Tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme, ndërsa në vitin 2018 nuk siguroi votat e nevojshme./ rel

Back to top button
LAJMET E FUNDIT