Holanda: Mos këmbëngulni kot, Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian diskutojnë sot për zgjerimin.
Ata janë mbledhur në Luksemburg në një samit ku diskutohet për zgjerimin e Unionit.
Pjesë e axhendës është edhe në dokument, për hapjen ose jo, të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Mbetet për t’u parë si do të jetë sot qëndrimi i vendeve skeptike si Franca, Holanda dhe Danimarka.
Edhe pse nuk ka mbështetur ndarjen e rastit të Shqipërisë nga ai i Maqedonisë së Veriut, Franca nuk është treguar fleksibël, ndërsa Holanda ka insistuar për një përgjigje negative.
Ndërkohë, Danimarka mbështet ndarjen e vendimmarrjes.
ABC Neës raporton se Holanda i përmbahet qëndrimit të saj, se Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Ministri i punëve të jashtme Stef Blok ka përsëritur të njëjtin mesazh në anglisht para takimit të ministrave të Jashtëm në Luksemburg.
“Qëndrimi hollandez është se çdo vend duhet të vlerësohet në bazë të meritave. Të dyja vendet kanë bërë shumë përpjekje.
Lidhur me Maqedoninë e Veriut ne konsiderojmë se duhet të ndërmerret një hap i rëndësishëm siç është ligji për Prokurorinë Speciale dhe nëse ky kusht përmbushet atëherë ne mendojmë se negociatat e anëtarësimit mund të fillojnë.
Lidhur me Shqipërinë, ne mendojmë se ka ende punë për të bërë dhe se vendi nuk është gati për hapjen e negociatave”.