Negociatat, një krahasim qëndrimesh mes Edi Ramës dhe Zaevit

Ka një arsye pse Rama thekson vazhdimisht orët e fundit që hapja ose jo e negociatave “nuk ka të bëjë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por është problem i  brendshëm i BE”.

Në fakt Rama po manipulon me vetëdije, duke u kapur vetëm pas një pjese të qëndrimit francez.

Franca thotë vërtet që duhet riparë procesi i negocimit si proces dhe kërkon kohë për këtë.

Por nga ana tjetër ashtu siç ministrja e jashtme franceze pohoi në takimin e Luksemburgut, veç reformimit të procesit, Franca ka rezerva edhe për ecurinë e reformave në Shqipëri të cilat “janë votuar por duhen zbatuar” si dhe për korrupsionin dhe lidhjet e politikës me krimin.

Këto gjenden edhe në kushtet e famshme gjermane për negociatat e Shqipërisë.

Për të mos folur për qëndrimet ekstreme të Holanës, Danimarkës, Spanjës etj., që theksojnë me forcë që mos hapja e negociatave me Shqipërinë ka të bëjë me problemet e Shqipërisë.

Shkurt, Rama po manipulon politikisht duke mbrojtur qeverisjen e tij në këtë rast, çka është dhe shqetësimi i tij kryesor me sa shihet dhe jo hapja ose jo e negorciatave.

Ajo që KM po thotë me fjalitë e tij që i ve edhe në gojë ministrash që me sa duket as deklarata nuk formulojnë dot vetë, është që JO-ja e Europës nuk ka të bëjë me qeverisjen.

Po nëse do ishte PO?

Diskursi i KM do ishte krejt tjetër dhe kjo e provon hipokrizinë e tij politike me këtë temë.

Kryeministri bën mirë të heqë dorë nga ky “këndvështrim” i asaj që po ndodh sepse është një propagandë e dobët, e lodhur dhe tashmë e dështuar. Për më tepër, mund t’i kthehet fare lehtë në bumerang.

Nëse kryeministrat e BE miratojnë rekomandimin e ministrave të jashtëm për hapje negociatash me Shkupin dhe shtyrje për Tiranën, e gjithë kjo kala hartimesh e Ramës bie poshtë, pasi provohet se hapja ose jo nuk lidhet me “problemet e BE” që ekzistokan vetëm për Shqipërinë, kurse për Maqedoninë e Veriut jo.

Nga ana tjetër, krahasoni qëndrimet e Ramës dhe Zaevit.

Ne jemi afër JO dhe Kryeministri ynë flet për mbështetje ndërkombëtare “si kurrë më parë” (!).

Maqedonia e Veriut është shumë më afër PO dhe Kryeministri Zaev përmes një interviste ka theksuar se qeveria e tij do të largohet nëse nuk merr ‘Po-në’ nga BE.

“Nëse nuk marrim një po, qeveria jonë bie. Ne u premtuam qytetarëve çeljen e negociatave kur erdhëm në pushtet, BE na premtoi një datë”, tha Zaev.

Edhe Rama e ka premtuar çeljen e negociatave.

Por premtimet elektorale tek ne janë “fjalë fushate”, thënë ndryshe gënjeshtra.

Ndaj Rama në vend të dorëheqjes si Zaev, ka zgjedhur të vijojë traditën e paraardhësve të tij.

Kryeministrat tanë “nuk kanë në asnjë rast faj” dhe nuk shkulen nga posti i ëmbël edhe nëse Shqipëria digjet./DITA

Back to top button
LAJMET E FUNDIT