“Paratë në kasafortë nuk i ka marrë burri im”- Djali vrau të atin për 75 milionë lekë, zbardhet dëshmia e gruas së 30-vjeçarit

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë në Durrës, ku djali Esmerald Balla 30 vjeç vrau babanë e tij, Enver Balla 62 vjeç.
Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton se policia ka marrë në pyetje gruan e 30-vjeçarit.
Bashkëshortja e Esmerald Ballës ka thënë se paratë në kasafortë nuk i ka marrë burri i saj.
“Paratë në kasafortë nuk i ka marrë burri im”, ka thënë ajo. Konflikti mes babait dhe djalit dyshohet se ka ardhur, për shkak të një shume parash prej 75 milionë lekë të vjetra.
Ndërsa, viktima jetonte me gruan e dytë dhe me Esmeraldin e familjen e tij. Enver Balla, me gruan e dytë kishte 18 muaj që jetonte.
Djali Esmerald Balla 30 vjeç vrau të atin Enver Balla 62 vjeç dhe më pas trupin e hodhi në një pus larg banesës. Ngjarja u zbardh sot (4 shtator), ndërsa akti i rëndë ka ndodhur rreth 20 ditë më parë.
Për të fshehur krimin, djali vrasës në datën 13 gusht ka shkuar në polici dhe ka denoncuar se babai i tij është larguar nga banesa dhe kishte humbur kontaktet.
I riu kishte thënë në komisariat se babai i tij ishte larguar nga banesa, me një shtetase të panjohur për të, dhe pas këtij momenti, 30-vjeçari kishte shkëputur kontaktet me babanë dhe nuk kishte mundur të lidhej më me të.
Gjithashtu, Esmerald Balla ka deklaruar se dyshonte se kjo shtetase mund ta kishte vrarë babanë e tij dhe se 62-vjeçari nuk kishte arsye që të largohej nga banesa.