ANALIZA: Quajeni “Revolucioni Reja”: Ekuilibër, soliditet, grintë dhe frymë grupi! Tani fiton… meritokracia!

“Këtu nuk arsyetohet me unë por me ne!”… Ndër fjalët e para që trajneri Edoardo Reja i ka thënë grupit në grumbullimin që ka bërë dhe është njohur me kuqezinjtë ishte kjo. Ideja e një trajneri që është si ai marinari që ka lundruar për shumë vite në det te hapur, duke sfiduar edhe stuhitë, dallgët dhe kohën e keqe, por që ka parë edhe diellin dhe ujin e qetë.

Eksperienca që ka akumuluar që në vitet ’80, kur e ka nisur (në atë kohë Shqipëria ishte ende nën thundrën e diktaturës së komunizmit) te ekipi i Serie D, Molinella, për të vijuar më pas me klube më të mëdha, duke ngjitur kategori dhe duke bërë “gavetta”, siç i thotë italiani.

Genoa, Lazio, Bologa, Lecce, Brescia, Napoli, Torino, Verona e kështu me radhë. Ka kaluar gjithçka 74-vjeçari, por edhe ka mësuar se që një skuadër të funksionojë, duhet që grupi të jetë i bashkuar dhe të luftojnë në një drejtim.

Kështu, pasi nisi të përshtatej dhe kuptonte se çfarë nuk funksiononte, si ai rrobaqepësi i mirë që di të arnojë një rrobë në mënyrë që të duket sa më e bukur për sytë dhe të pëlqehet, edhe pse nuk është stofë e kushtueshme, nisi të vendoste copëzat e mozaikut kuqezi.

Provoi disa koncepte, disa ide taktike dhe teknike, u njoh me potencialin e futbollistëve në dispozicion, por edhe atë që mund të jepnin.

Kështu, kaloi nga Bare si regjizor përpara mbrojtjes, te Bare në mesfushor të avancuar. Nga dyshja Cikalleshi-Balaj në sulm te Cikalleshi-Manaj, me Sadikun që do të rikthehet gjithashtu. Rrotacion i nevojshëm dhe që i sjell atë stabilitet që kërkohej.

Jo vetëm kaq, por edhe soliditet në mbrojtje, në një repart ku tashmë ka luksin e zgjedhjes. Aty ku debutoi edhe Kumbulla, një futbollist me prespektivë dhe personalitet. Gjimshiti, Veseli, Ismajli, Dermaku e kështu me radhë. Ka edhe përvojën e Mavrajt në dispozicion, edhe pse këtë grumbullim nuk ishte.

I kaloi në heshtje dhe pa polemika hatërmbetjet e disa elementëve, duke treguar se grupi vjen mbi të gjithë dhe çdo gjë. Pa presion, pa trysni të jashtme, risolli gëzimin te futbollistët e pezmatuar nga të bërtiturat dhe çjerrjet e Christian Panuçit, që tentoi të bënte mrekullinë dhe futbollin shampanjë por që u kthye në Itali me një grusht me miza.

Normalizues! Reja solli qetësinë. E bëri me durim dhe duke futur në punë eksperiencën. Mbi 30 vjet trajner, ishte larguar nga kjo fushë, por u rikthye ndoshta për sfidën e fundit: të ndryshojë brezin dhe riformatojë Shqipërinë me një bosht të ri. Do të kishim dashur të ishte të paktën 10 vite më i ri, për të hapur një cikël të gjatë.

Deri tani, italiani ka bërë një punë të shkëlqyer dhe frytet po duken: 4 gola ndaj Islandës, 4 gola ndaj Moldavisë! Ndeshje e madhe në Turqi dhe e humbur pa meritë. Ka mbetur nëntori dhe dy sfidat e fundit, por aty do të jetë sërish për përmirësim.

Donte të shihte hapa përpara trajneri dhe i ka parë. Lojtarët po përgjigjen. Në mesfushë ka gjetur Gjasulën si dikur De Biasi bëri me Burim Kukelin. i thjeshtë në pasime, luftarak në ndërhyrje. Krahët janë një tjetër punë që do të duhet të përmirësojë por do ta bëjë me kalimin e kohës.

Debutimi i Trashit ishte çmim për lojtarin e Partizanit, i merituar plotësisht. Në të ardhmen, është në xhiro edhe ai. E gjitha, duke hedhur sytë edhe nga U-21. Nuk po bën shpikje Reja, thjesht riformatim, organizim. Jo diktaturë, por demokraci dhe, sidomos, meritokraci!

Nuk po bën asgjë të jashtëzakonshme, sepse kemi nevojë vetëm për gjëra të zakonshme! E vetmja e keqe? Anagrafika! Mosha e tij që e penalizon të hapë një cikël dhe të ketë energjitë për t’ia dalë! Të shohim, të presim! Duam të na përgënjeshtrojë!(Telesport)

Back to top button
LAJMET E FUNDIT