Ervin Hoxha tregon si u zgjodh në krye të Ministrisë së Brendshme: Kur u thirra nga Rama…

Dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullakut solli edhe daljen e parë publike të Ministrit të ri të Brendshëm, Ervin Hoxha.

Në një konferencë, teksa foli për pasuesin e Rrumbullakut, ai iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve në lidhje me emërimi ne tij në krye të dekasterit më të rëndësishëm në vend. Ai e cilësoi këtë detyrë si nderin më të madh, duke shtuar se u thirr nga vetë kryeministri Edi Rama, për të qenë ministër i Brendshëm.

“Unë u thirra në këtë detyrë nga Kryeministri Rama pa e menduar ndonjëherë se mund të isha një ditë Ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë. Vënia e dorës mbi Kushtetutë kur bëra betimin përpara Presidentit Begaj ishte momenti më emocionues i jetës time profesionale.

Votimi i emrit tim në Kuvendin e Shqipërisë për të marrë këtë detyrë kaq të lartë ishte nderi më i madh që mund të më bëhej si qytetar i kësaj Republike dhe shpërblimi i gjithë këtij betimi është borxhi më i madh ku mund të futesha në jetën time si një njeri i këtij vendi.

As nuk e dyshoj se plot të tjerë mund të kishin kredenciale më të forta për të qenë në vendin tim, që nga ato politike dhe deri tek kredencialet e lidhjeve miqësore. Ky fakt ma bën edhe më të rëndë peshën e përgjegjësisë për ta merituar vlerësimin që mu bë, duke ma besuar këtë detyrë.

Uroj që kështu ta shohin promovimin në karrierë edhe Drejtori i ri i Përgjithshëm dhe drejtuesit e rinj të qarqeve e të strukturave kyçe të Policisë së Shtetit, në këtë kohë historike të Shqipërisë që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian.”– tha Hoxha.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT