Çështja “Babale”, Albert Veliu drejt ekstradimit në Shqipëri

Ministria e Drejtësisë ka kthyer përgjigje Gjykatës së Tiranës në lidhje me kërkesën për informacion për Albert Veliun dhe ekstradimin e tij nga Belgjika.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ky shtetas është arrestuar në Belgjikë me qëllim ekstradimin ndërsa ka deklaruar se kërkesa ka shkuar dhe jemi në pritje të këtij ekstradimi.
Prokuroria kërkoi shtyrje të seancës deri në mbërritje të Albert Veliut. Gjykata pranon kërkesën dhe seanca e radhës është caktuar data 30 tetor, ora 13.30.
Pas vendimit për të ekstraduar në Shqipëri, Albert Veliun, gjykata kërkoi informacion nëse ai ndodhet i arrestuar në Belgjikë apo nëse është në liri, vend ku ai kishte shkuar për të kërkuar azil politik pasi u arratis nga Shqipëria me denoncimin se e gjithë historia ishte një sajesë.
Belgjika disa javë më parë i refuzoi kërkesën për azil politik Albert Veliut, ndërsa një javë më parë nga salla e gjyqit i pandehuri Alfred Alizoti, i cili është nën akuzë së bashku me “Babalen” për audio-përgjimin e rremë më Agron Xhafën, tha se në Bruksel “Babalja” u prit dhe u strehua nga njerëzit e Lulzim Bashës në një shtëpi private, fakte të cilat sipas tij ja kish treguar ish-deputeti Ervin Salianji.