Dhunimi për vdekje i Egli Progës/ Motra e viktimës hedh akuza për manipulim! Drejtuesi ndryshon prokuroren e çështjes

Pas kërkesës së familjarëve të Egli Progës, i cili u dhunua për vdekje nga Denis Meçe, drejtuesi i Prokurorisë së Korçës ka vendosur të largohet prokurorja Vasjana Postoli nga hetimi i çështjes.

Postoli, e cila më parë kishte ndryshuar akuzën ndaj autorit, duke e cilësuar atë si “vrasje nga pakujdesia”, do të zëvendësohet nga një prokuror tjetër.

Një ditë më parë, u publikuan rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore për vdekjen e 42-vjeçarit Egli Proga. Sipas akt-ekspertimit, shkaku i vdekjes ishte hemorragji në cipën e trurit dhe hemorragji e indit trunor. Ky dokument i është dërguar Prokurorisë së Korçës, e cila po vazhdon hetimet për këtë ngjarje të rëndë.

Pas publikimit të ekspertizës, motra e Egli Progës, Jonida, ka reaguar në mënyrë të ashpër. Ajo akuzon Policinë e Shtetit për “përdhosjen” e kujtimit të vëllait të saj për të tretën herë.

Jonida ka shprehur dyshime mbi ekspertizën mjeko-ligjore, duke akuzuar dy mjekët e angazhuar për mashtrim dhe lidhje të dyshimta me autorët e ngjarjes. Ajo përmendi se motra e njërit prej mjekëve ka punuar si vartëse e ish-drejtorit të Postës Korçë, Valter Gora, i cili është daja i Denis Meçes, dhe se këto lidhje mund të kenë ndikuar në hetim.

Deklarata e Jonidës: “Policia e Shtetit ka përdhosur për të tretën herë kujtimin e vëllait tim. Ekspertiza është e manipuluar dhe ka lidhje me njerëz që kanë lidhje me Denis Meçen. Do të shkoj deri në fund për të kërkuar drejtësi për vëllain tim.”

Në lidhje me ngjarjen, Denis Meçe është në arrest, dhe hetimet për vrasjen e Egli Progës vijojnë ende. Përveç tij, janë arrestuar edhe tre persona të tjerë: Voltan Shulku, Leonidha Guçi dhe Arian Manellari.

Ata akuzohen për “moskallzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi ishin të pranishëm gjatë ngjarjes dhe nuk e kallëzuan krimin, duke penguar kështu zbardhjen e së vërtetës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT