U lirua nga burgu dy javë më parë, ish-kryebashkiaku i Himarës Fredi Beleri bën lëvizjen e radhës

Dy javë pasi u lirua nga qelia, ish-kryebashkiaku i Himarës, Fredi Beleri, ka bërë një hap të ri ligjor duke kërkuar pafajësinë në Gjykatën e Lartë. Sipas informacionit të siguruar nga Shqiptarja.com, avokatja e tij, Klodjana Gjyzari, ka depozituar kërkesën për rekurs në sekretarinë e gjykatës.
Kërkesa për rekurs vjen edhe pse Beleri u lirua më 2 shtator nga qelia. Ky lirim u realizua pasi Gjykata e Fierit pranoi kërkesën e avokatit për lirimin me kusht, pas tri seancash të dështuara ku Beleri kishte argumentuar se kishte kryer dy të tretat e dënimit (2/3). Megjithatë, Beleri ishte dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit të Posaçëm me 2 vite burg për korrupsion në zgjedhjet e 14 majit 2023.
Në një zhvillim tjetër, media greke ka raportuar fakte tronditëse që përfshijnë Fredi Belerin në një organizatë terroriste, MAVI, dhe atentate ndaj Vangjel Tavos, përveç stërvitjes në Qipro dhe kthimit në Shqipëri. Këto akuzat janë raportuar me foto dhe detaje të tjera, duke ngritur pyetje mbi të kaluarën dhe aktivitetet e Belerit.
Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 Majit 2023, pasi u kap në flagrancë duke blerë vota. Pas arrestimit, ai u shpall fajtor nga Gjykata e Posaçme dhe u dënua me dy vite burg, dënim që u konfirmua në Apel. Edhe pse ishte në qeli, ai fitoi zgjedhjet për kryebashkiak të Himarës, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shpalli mandatin të pavlefshëm për shkak të dënimit, duke e ndaluar atë të kryejë betimin si kryebashkiak.
Kërkesa e Fredi Belerit për të apeluar në Gjykatën e Lartë është një përpjekje për të ndryshuar vendimet e mëparshme dhe për të pastruar emrin e tij nga akuzat që kanë ndikuar në karrierën e tij politike dhe ligjore. Tani pritet të shihet se si do të reagojnë autoritetet ligjore dhe çfarë do të vendosë Gjykata e Lartë në lidhje me këtë çështje.