“Kur të do populli, kriminelët le të qëllojnë”/ Trump reagon për herë të dytë për atentatin ndaj tij: Nuk do lejojmë bastardët të…

Donald Trump, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe kandidati aktual për president në zgjedhjet e ardhshme, ka reaguar sërish pas një atentati të dytë që ndodhi ditën e djeshme në Florida. Në një postim në rrjetin social “Truth”, Trump shprehu mirënjohjen e tij për mbështetësit dhe veçanërisht për Shërbimin Sekret amerikan për mbrojtjen që ofruan.
Në reagimin e tij, Trump falënderoi Shërbimin Sekret dhe Sherif Ric Bradshaw, duke e vlerësuar punën e tyre si të jashtëzakonshme. Ai e përshkroi këtë ditë si “interesante” dhe theksoi se ishte krenar që ishte amerikan, duke e vlerësuar përkushtimin e forcave të rendit për të siguruar që ai të mbetej i mbrojtur dhe i gatshëm për të vazhduar në garën për presidencën.
Trump gjithashtu ngriti një pikëpyetje mbi sfidat që ndodhin me të qenit popullor. Ai e lidh këtë me kërcënime dhe sulme nga kriminelë, duke thënë se individët që janë të dashur nga masat shpesh janë në shënjestër të kriminelëve. “Kur je popullor, kriminelët në fakt të qëllojnë… dhe përpiqen të të godasin nga çdo kënd!” shkroi Trump.
Në fund të mesazhit të tij, Trump bëri thirrje për qëndresë, duke i inkurajuar mbështetësit të mos lejojnë që këto sulme të ndikojnë në përpjekjet e tij. Ai e përmbylli postimin duke iu drejtuar ndjekësve të tij me një mesazh të fuqishëm: “Mos lejoni kurrë që ata bastardë t’ju rrëzojnë.”
Ky atentat i dytë ka rritur shqetësimin dhe ka nxitur diskutime të shumta mbi sigurinë e figurave publike dhe të politikës. Megjithatë, Trump duket i vendosur të vazhdojë në fushatën e tij për presidencën dhe të tregojë se kërcënimet nuk do ta ndalin në përpjekjet e tij.