“Futbolli nuk është për hallexhinjtë”, FSHF mbështet deklaratën e Dervishit dhe vijon me çmimet e kripura të biletave

Ditën e sotme është raportuar se inagurimi i stadiumit “Arena Kombëtare” do të bëhet në takimin e muajit nëntor që Shqipëria do të zhvillojë kundër Kombëtares së Francës, e vlefshme për eleminatoret e kampionatit europian.

Po ashtu janë publikuar dhe çmimet e biletave që Federata Shqiptare do të vendosë për këtë sfidë, të cilat vijojnë të mbeten të larta.

Deklarata e zyrtarit të FSHF-së, Arben Dervishajt se “Futbolli nuk është për hallexhinjtë” mbështet fuqimisht nga Institucioni i futbollit shqiptar – i cili ka vendosur që bileta më e lirë në takimin ndaj Francës të jetë 1500 lekë dhe më i shtrenjti 5000 lekë.

Edhe pse me anë të një letre zyrtare tifo-grupi “Tifozët Kuq e Zi” i kërkoi FSHF-së të distancohej nga kjo deklaratë dhe të rishihte çmimet e biletave, gjithçka ka rënë në “vesh të shurdhët”.

Ja çfarë deklaronte tifo-grupi “Tifozët Kuq e Zi”:

“Arben Dervishi deklaron se “futbolli nuk është për hallexhinjtë”. Ky copë mishi i veshur me petkun e njeriut, që kurrë në jetën e tij ska paguar biletë, por i ka marrë falas, fatkeqësisht është zyrtar i Federatës Shqiptare të Futbollit, institucion që propagandon e fton “hallexhinjtë” në stadium dhe që këtyre hallexhinjëve u’a shet biletat me çmimin e një finaleje të Ligës së Kampionëve.

Këta hallexhinjtë e japin edhe lekun e fundit që ta shohin Kombëtaren, lek të cilin e fitojnë me stërmundime dhe shumë djersë, e jo duke u servilosur e duke u lëpirë pas personave me pushtet apo grupeve të interesit.

Ftojmë Federatën që të distancohet nga këto deklarata të turpshme, fyese dhe përqeshëse, si dhe të rishikoj politikën e çmimeve sa më të arsyeshme për xhepin e qytetarit të thjeshtë shqiptar ( e jo të Dervishëve)”, thuhet në letrën zyrtare të tifozëve drejtuar FSHF-së.

Para një jave Shqipëria lujati në transfertë kundër Turqisë në një stadium shumë herë me spektakolar se ky i joni dhe bileta për të parë atë takim ishte 700 lekë.

Ndërkohë, që në vendin tonë jo vetëm që i shtrenjtojnë çmimet e biletave në kurriz të tifozëve shqiptar, por edhe u mohojnë të drejtën për të ndjekur takimet në tribuna për t’ua lenë vendin zyrtarëve me kollare që vijnë nëpër stadium vetëm në kohë të mira dhe për përfitme personale.

FSHF-ja ka vendosur të bllokojë daljen në treg të tribunave me arsyen se janë ftesa për UEFA-n, qeverinë, sponsorët dhe bashkëpunëtorët e FSHF-së.

Takimi mes Shqipërisë dhe Francës do të luhet më datë 17 nëntor në “Arenën Kombëtare”. (TemA)

Back to top button
LAJMET E FUNDIT