VIDEO/ Plagosi 3 persona në lokalin e ‘VIP’-ave, arrestohet në një hotel në Kukës djali i pronarit të ‘Lajthizës’

Pas rreth 2 muajsh në arrati, Edison Elezaj, djali i pronarit të ujit ‘Lajthiza’, është arrestuar nga forcat Operacionale.
Djali i biznesmenit Hajri Elezaj ishte në një festë të një prej restoranteve më luksoze “Savoy Garden” në rrugën e Kavajës, brenda kompleksit të banimit “Deligjorgji” në Tiranë. Gjatë festës, Edison Elezaj ka plagosur me armë 3 familjarët, një vajzë 36 vjeçe dhe 2 vëllezërit e saj.
Pas plagosjes, i riu u largua nga vendi i ngjarjes dhe u arrestuar pasditen e 25 shtatorit 2024. Por megjithëse nga policia ishte shpallur në kërkim (23 korrik 2024) për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, gjykata, më 26 korrik ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
“Si rezultat i operacionit ‘Oda’, në një hotel në Kukës, është lokalizuar dhe arrestuar shtetasi E. E., 32 vjeç.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr.1897 datë 26.07.2024, i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal
Më datë 23.07.2024, në Rrugën e Kavajës, 32-vjeçari dyshohet se aksidentalisht ka bërë shkrepje të pavullnetshme me një armë zjarri, dhe si pasojë janë plagosur 3 shtetas.”, njofton policia.
Ndërkohë, për këtë ngjarje policia ka arrestuar më herët dy persona të tjerë, pasi i morën armën djalit të biznesmenit dhe e fshehën për të penguar zbulimin e së vërtetës.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë në restorant, policia arriti të gjejë armën dhe të identifikojë personat që e morën atë pas të shtënave, Arjan Dushaj, 38 vjeç, dhe Dardan Zalli, 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.