Baçi zbardh skenaret e opozitës pas burgosjes së Salianjit: Një nga opsionet është ngujimi i deputetëve në Kuvend

Deputeti demokrat Luan Baçi i cli ishte i vetmi nga deputetët opozitarë që e priti Ervin Salianjin në burgun e Fierit, ku do vuajë dënimin me 1 vit burg tha se një nga opsionet që deputetët e PD mund të përdorin është ngujimi afatgjatë në Parlament.
Baçi tha se janë disa opsione që po diskutohen dhe do të diskutohen, por nuk përjashtohet as ai i ngujimit në Kuvend.
“Sot është mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së, nesër do të mblidhet Grupi Parlamentar, ku do të merret edhe një vendim lidhur me seancën.
Kjo që ndodhi me Ervin Salianjin është shkelje e vijës së kuqe nga mazhoranca e Edi Ramës dhe natyrisht që reagimi opozitar do të jetë i fortë. Do të jenë forumet e PD që do të miratojnë atë se çfarë do të bëjnë jo vetëm deputetët, por edhe populli opozitar”, tha Baçi në rubrikën “Opinion” në News24 .
Ashtu si Salianji, opozita në kor akuzuan trupën gjyqësore për vendim që i shpall luftë Partisë Demokratike edhe pse 2 nga 3 gjyqtarët, ishin në trupën gjykuese që i dhanë vulën në qershor Sali Berishës.