“Navalny vdiq pasi u helmua në burg”/ DETAJET shokuese: Ja si e mbuluan vrasjen autoritetet ruse

Vdekja e liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny vijon të jetë e rrethuar nga misteri, teksa ende nuk dihet çfarë i shkaktoi vdekjen në qelinë e burgut.

Edhe pse autoritetet ruse ia atribuuan shkaqeve natyrore, “The Insider” ka arritur të sigurojë qindra dokumente zyrtare ku raportohet se Navalny ishte helmuar.

Media ka publikuar dy versione të një dokumenti të nënshkruar nga hetuesi rus Alexander Varapaev. Dokumenti në fjalë ka të bëjë me vendimin e Komitetit Hetues rus për të mos hapur një çështje penale në lidhje me vdekjen e liderit të ndjerë të opozitës. Një version i hershëm i vendimit të Varapaev përshkruan simptomat e Navalny si më poshtë:

“Më datë 16.02.2024, i dënuari A.A. Navalny ndjeu një përkeqësim të gjendjes së tij shëndetësore teksa ndodhej në oborrin e ushtrimeve nr. 2 të EPKT-së [njësi banimi e unifikuar e tipit qeli], për të cilën informoi nëpunësin e shërbimit të institucionit, i cili e nxori këtë të fundit nga ambientet e stërvitjes në ambientet e seksionit nr.4 të EPKT-së.

Aty, i dënuari A.A. Navalny u shtri në dysheme dhe filloi të ankohej për dhimbje në zonën e barkut; filloi nxjerrjen refleksive të përmbajtjes së stomakut, pati konvulsione dhe humbi vetëdijen, gjë që iu raportua menjëherë personelit mjekësor të institucionit korrektues”.

Simptomat e përshkruara nga Varapaev janë në përputhje me ato që do të pritej nëse Navalny do të ishte helmuar. Megjithatë, në një version të mëvonshëm (dhe përfundimtar) të të njëjtit vendim, të gjitha përmendjet e dhimbjes së barkut, të vjellave dhe konvulsioneve ishin hequr.

The Insider ka në dispozicion një dokument tjetër të rëndësishëm, një inventar të “objekteve të sekuestruara” të marra nga skena e vdekjes së Navalny. Lista përfshin “mostra të të vjellave”, të cilat dokumenti tregon se janë dorëzuar për ekzaminim. Sidoqoftë, as fakti i ekzaminimit dhe as të vjellat e Navalny nuk u raportuan zyrtarisht.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT