Përmbytjet në Vlorë/ Reagon kryetari i bashkisë dhe ministri i Brendshëm: Forcat e ushtrisë nisen drejt qytetit, janë evakuuar 22 familje

Kryetari i Bashkisë së Vlorës njoftoi se 22 familje janë evakuar si pasojë e përmbytjeve, ndërsa tre persona kanë marrë ndihmë pasi ishin mbetur të bllokuar. Situata është përkeqësuar, veçanërisht pas çarjes së kanalit të ujrave të larta të qytetit, duke kërkuar ndihmën e ushtrisë.
Ministri i Brendshëm, Pirro Vengu, ka reaguar për problematikat e shkaktuara nga stuhia e shiut, duke theksuar se situata në Vlorë është rënduar për shkak të prurjeve të mëdha. Sfidat janë evidentuar edhe në stacionet e pompimit.
Në përgjigje të situatës, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, pas thirrjes për mbështetje nga pushteti lokal, kanë ofruar asistencë me dy moto varka, dy ekipe të pajisura me motopompa, tetë mjete kalueshmërie të lartë dhe 30 forca ushtarake.
Gjithashtu, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është duke koordinuar strukturat operacionale në nivel vendor dhe qendror për t’i ardhur në ndihmë komunitetit. Nga Forcat e Armatosura janë dërguar gjithashtu gjashtë forca dhe dy mjete nga Reparti i Këmbësorisë së Jugut.
Ministri Vengu shprehu angazhimin për monitorimin e vazhdueshëm të situatës gjatë orëve në vazhdim, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve për të përballuar pasojat e kësaj stuhie.