Izraeli gati të sulmojë Iranin me armë bërthamore?! Trump u jep “zemër”: Veproni!

Izraeli nuk i ka dhënë garanci administratës së Joe Biden se shënjestrimi i objekteve bërthamore të Iranit është jashtë çdo diskutimi, teksa pritet shpagimi i shtetit hebre për sulmin me raketa balistike në fillim të kësaj jave nga regjimi i ajatollahëve.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit i tha CNN se është “me të vërtetë e vështirë të thuhet” nëse Izraeli do të përdorë përvjetorin e sulmeve të Hamasit të 7 tetorit për t’u hakmarrë.
“Ne shpresojmë dhe presim të shohim pak mençuri përveç forcës, por për këtë nuk ka garanci”, ishte përgjigja që i dha zyrtari pyetjes se nëse Izraeli e ka siguruar SHBA-në se objektet bërthamore të Iranit nuk do të preken.
Zyrtarët amerikanë kanë shprehur mbështetje për reagimin e Izraelit ndaj sulmit raketor të Iranit me shumë zyrtarë që e kanë deklaruar publikisht se duhet të ketë pasoja.
Në të njëjtën kohë, janë shprehur megjithatë shqetësime për një zgjerim të konfliktit teksa përballen me një Lindje të Mesme gjithnjë e më të paqëndrueshme. Presidenti Joe Biden tha në fillim të kësaj jave se SHBA nuk e mbështet goditjen e programit bërthamor të Iranit nga Izraeli.
“Nëse do të isha në vendin e tyre, do të mendoja për alternativa të tjera veç goditjes së fushave të naftës”, u shpreh Biden në një konferencë shtypi të premten.
Kandidati republikan për presidencialet e nëntorit, Donald Trump i hodhi ndërkohë benzinë zjarrit me këshillën e tij. Sipas tij, Izraeli duhet t’i godasë objektivat nukleare të Republikës Islamike.
“Armët bërthamore janë rreziku më i madh dhe nëse ata kanë në plan ta bëjnë, do ta bëjnë me siguri.”- tha Trump.
Ndërkohë, Izraeli ka vazhduar bombardimet gjatë natës në Bejrut, ku banorëve të lagjes periferike Dahieh, fortesë e Hezbollahut, u është kërkuar të largohen me të paktën 500 metra prej andej.
Paralajmërime u janë dhënë edhe banorëve të më shumë se 20 qyteteve dhe fshatrave të Libanit jugor që të evakuohen menjëherë nga shtëpitë e tyre dhe të zhvendosen në veri, ndërsa ushtria izraelite vazhdon fushatën tokësore kundër Hezbollahut.