“BE u formua si përgjigje ndaj fashizmit, ka harruar mësimet e dy luftërave”

Albin Kurti është i shqetësuar se mos’hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të destabilizojë Kosovën.
Në një interviste me gazetën britanike “The Guardian”, kreu i Vetëvendosjes ka dënuar vendimin e BE për të ndalur zgjerimin e mëtejshëm në Ballkan, duke thënë se liderët perëndimorë kishin harruar mësimet e dy Luftërave Botërore dhe në vend të kësaj ishin të tërhequr nga frika e neofashizmit dhe populizmit.
Albin Kurti tha se qëndrimi i Francës ka ulur shanset e tij për të arritur një marrëveshje paqësore me Serbinë, pasi Beogradi ka më pak presion për të njohur pavarësinë e Kosovës pa perspektivën e anëtarësimit në BE.
“BE u formua si një përgjigje ndaj fashizmit, por tani po frikësohet përballë populistëve dhe fashizmit,” tha Kurti për “The Guardian”.
“Ju nuk mund të thoni se fillimisht vijnë reformat e brendshme të BE-së dhe më pas zgjerimi. Ato shkojnë paralelisht. Europa është një projekt kaq i rëndësishëm historik sa askush nuk mund të jetë autori i saj, duke e drejtuar apo udhëhequr. Kur Jean-Claude Juncker tha se nuk do të kishte një zgjerim të mëtejshëm të BE-së në pesë vitet e ardhshme, situata në Ballkan u përkeqësua”, tha kreu i Vetëvendosjes.
Sipas Kurtit, Macron ka harruar se Ballkani është shumë i rëndësishëm për BE-në.
“Në dy dekada, historianët do të shkruajnë se nuk kishte dy luftëra botërore, por vetëm një luftë botërore me dy episode, dhe e gjitha filloi në Sarajevë ”, i thotë ai “The Guardian.
Kurti ka folur edhe për objektivat e tij si kryeministër i ardhshëm i Kosovës, duke premtuar se do t’i japë fund ngërçit ekonomik të vendit dhe kapjes së gjyqësorit nga shteti.
Kreu i Vetëvendosjes i tha “The Guardian” se do të kërkonte llogari një më një, për pasuritë e pashpjegueshme të prokurorëve dhe gjyqtarëve.