Monika Kryemadhi pas takimit me Bashën: Rama luajti me ëndrrën e shqiptarëve, tani të iki skizofreni

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka folur për mediat pas mbledhjes me aleatët në zyrën e Lulzim Bashës.
“Axhenda jonë nuk është vetëm politike ka të bëjë me integrimin e vendit në BE. 9 kushtet e Bundestagut, axhenda më e kthjellët për politikën shqiptare. Ai që largon Shqipërinë nga BE është kryeministri Edi Rama.
Maqedonia u ndëshkua për shkak të mos ecjes së reformave shqiptare. Nuk duhet të bëjmë më asnjë hap të gabuar, duhet të jemi të kujdesshëm. Zgjedhjet e reja do të sjellin një shkrirje të akujve që Rama ka ngritur.
Jemi të qartë që e ardhmja e Shqipërisë është BE dhe SHBA. Çdo realitet ku Rama kërcënon partnerët është pa të ardhme. 99 përqind e shqiptarëve e duan BE. Rama luajti me ëndrrën e tyre. Drita jeshile janë 9 kushtet”, tha ajo.
“Gjerat do të ecin përpara, qëndrimi në unison i frontit opozitar, po përgatitet për planin e masave të domosdoshme, për të zgjidhur krizën politike.
Protesta janë të vazhdueshme, nuk janë me axhendë por me organizim. Ka një zgjidhje: të largohet Edi Rama dhe tu krijohet shqiptarëve mundësia për të votuar”, vijoi Kryemadhi.
Nëse Rama nuk largohet?
“Ai ka treguar që ka ndjenjat e skizofrenisë, ka frikë vetëm nga bluzat e bardha, kështu që kam përshtypjen që me një skizofren do dinë të sillen mjekët”, u shpreh ajo.