Një tjetër front lufte?! Ushtria kineze rrethon Tajvanin me avionë luftarakë dhe anije

Tensionet mes Kinës dhe Tajvanit sa vinë e shtohen, teksa Pekini zyrtar ka nisur stërvitjen ushtarake shumë pranë kufirit mes dy vendeve.

Pekini nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për të marrë nën kontroll Tajvanin dhe stërvitjet e 14 tetorit janë rundi i katërt i stërvitjeve të mëdha ushtarake që Kina ka mbajtur në dy vjetët e fundit.

Shtetet e Bashkuara thanë se veprimet e Kinës ishin të paparalajmëruara dhe rrezikonin përshkallëzim. Uashingtoni i bëri thirrje Pekinit që të përmbahet. Presidenti tajvanez, Lai Ching-te, që mori detyrën në maj, ka qenë më i zëshëm se paraardhësja e tij, Tsai Ing-wen, në mbrojtjen e sovranitetit të Tajvanit, duke zemëruar Pekinin, i cili e cilëson atë si “separatist”.

Lai u zotua të hënën për mbrojtjen e Tajvanit demokratik, mbrojtjen e sigurisë kombëtare, ndërkaq Ministria e Mbrojtjes tha se ka dislokuar forcat e nevojshme në përgjigje të stërvitjeve të Kinës. Në afërsi të bazës ajrore Hsinçu, në veri të Tajvanit, janë parë 12 avionë luftarakë duke u ngritur në qiell.

“Ishujt në periferi të Tajvanit, që administrohen nga Tajpej, ishin në gatishmëri të lartë dhe avionët dhe anijet do të përgjigjen ndaj armikut në përgjigje me rregullat”,- tha Ministra e Mbrojtjes e Tajvanit.

Pekini tha se stërvitjet e tij shërbejnë si paralajmërim i ashpër ndaj veprimeve separatiste të forcave të ‘pavarësisë së Tajvanit’.

“Stërvitjet synojnë testimin e trupave për aftësitë e operacioneve të përbashkëta. Ato po mbahen në zonat në veri, jug dhe lindje të ishullit të Tajvanit”,– tha zëdhënësi i ushtrisë kineze, Li Xi.

Ushtria kineze tha se stërvitjet janë të përqendruara në gatishmërinë e luftimeve në ajër dhe të patrullimeve, si dhe në bllokimin e porteve kyçe. Ato po ashtu po mbahen për të praktikuar sulmet ndaj caqeve detare dhe tokësore. Media shtetërore kineze tha se avionët luftarakë dhe luftanijet janë dislokuar për këto stërvitje. Gjatë këtyre stërvitjeve janë aktivizuar edhe rojet bregdetare të Kinës për të kryer “inspektime” përreth ishullit”.

Sipas një diagrami të publikuar, rojet bregdetare me katër flota kanë rrethuar Tajvanin dhe po lëvizin përreth ishullit në drejtimin e kundërt të akrepave të orës. Tajvani tha se katër “formacione” të anijeve të rojeve bregdetare të Kinës po patrullonin përreth ishullit, por ato nuk kishin hyrë në ujërat e ndaluara.

Në vitet e fundit, Kina ka rritur aktivitetin ushtarak përreth Tajvanit, duke dërguar avionë luftarakë, ndërkaq luftanijet e saj kanë prani pothuajse të përhershme përreth ujërave të ishullit. Pekini tha se stërvitjet e së hënës janë legjitime dhe të nevojshme për të ruajtur sovranitetin dhe unitetin kombëtar. Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit, tha të hënën se 25 avionë ushtarakë të Kinës dhe shtatë anije të marinës janë detektuar përreth ishullit në 26 orët e fundit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT