S&P jep alarmin: Reformat në Shqipëri pa negociatat do të jenë të vështira

“Vendimi i Këshillit Europian për t`i mohuar hapjen e negociatave Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me shumë gjasa do të ketë impakt të kufizuar ekonomik në terma afat-shkurtër, por nga ana tjetër, mund të peshojë mbi angazhimet e të dy vendeve në axhendën e reformave në terma afat-gjatë”, thotë Standard and Poor’s në një njoftim të posaçëm në lidhje me këtë çështje.

Gjigandi global i vlerësimeve thotë më tej se hapja e negociatave do të shërbente si një nxitje e madhe për reforma për të dy vendet.

“Këto reforma, pa negociatat do të jenë të vështira për arsye të politikës së brendshme”, nënvizon më tej.

Për të ilustruar këtë, S&P jep rastin e Shqipërisë dhe miratimit të reformës në drejtësi.

“Në gjerësi, impakti ekonomik afat-shkurtër i Këshillit Europian do të jetë i kufizuar, në këndvështrimin tonë.

Negociatat për anëtarësim janë një procedurë që zgjat dhe reformat që miratohen përgjatë këtij procesi i çelin frytet në terma afat-gjatë. Një vendim ndryshe i Këshillit Europian do ta kishte të vështirë të ndryshonte projeksionet ekonomike afat-shkurtra të të dy vendeve”, thotë më tej agjencia e vlerësimit të kreditit.

“Për këtë arsye, ne e mbajmë të pandryshuar projeksionin për rritjen ekonomike të Maqedonisë së Veriut, në 3% dhe të Shqipërisë në 3.5%. Si rrjedhojë nuk ka asnjë efekt në vlerësimin e borxhit sovran të Shqipërisë në B+ me perspektivë të qëndrueshme dhe të Maqedonisë së Veriut në BB- me perspektivë të qëndrueshme”, mbyll S&P njoftimin.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT