Kush kërkon ta sulmojë Shqipërinë? 40 dosje terrorizmi për 2018-2019

Institucionet në Shqipëri kanë nën hetim shumë dosje për akte terroriste, të cilat kanë mbetur në kufijtë e tentativës, por që ligjërisht regjistrohen si vepra penale.
Janë jo pak, por plot 40 dosje terrorizmi që po hetohen nga Prokuroria, Policia dhe Shërbimi Informativ Shtetëror.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë, procedimet penale për të cilat është duke u hetuar i përkasin periudhës kohore të vitit 2018 dhe 2019, ku janë të implikuar shqiptarë dhe joshqiptarë.
Në dosjet që ndodhen në njësinë antiterror të Ministrisë së Brendshme, e plotësuar edhe me informacione nga Shërbimi Informativ Shtetëror ka të dhëna për shumë persona, një pjesë e të cilëve mbahen nën vëzhgim jo vetëm brenda territorit shqiptar, por edhe në lëvizjet e tyre jashtë vendit.
Kuptohet atje, ku policia shqiptare ka oficerë ndërlidhës, si në Francë, Gjermani, Austri, Itali e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Procedimet penale në numër më të madh, sipas burimeve zyrtare të Policisë i përkasin periudhës gusht-mars 2018, ku përfshihen dy akte terroriste të mbetura në tentativë.
E para në 7 shtator, në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Izraelit e planifikuar për në stadiumin “Loro Boriçi”, por një ditë përpara se të luhej u zhvendos për në “Elbasan Arena” për shkak të kërcënimit serioz të një akti terrorist, që më vonë u provua se ishte real dhe që fatmirësisht mbeti në tentativë.
Rasti i dytë që u bë publik nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ishte ai i 22 marsit të vitit të kaluar, kur ishte planifikuar një akt terrorist në ditën e Sulltan Novruzit. Madje, ky akt terrorist ishte tejet i detajuar, por shkëmbimi i informacioneve në kohë, bëri që të shmangej.
Disa prej emrave të proceduar në Shqipëri për akte terroriste dhe rekrutime për në Siri, si pjesë të ISIS shumë persona janë Genci (Abdurrahim) Balla, Bujar Hysa, përkatësisht imamë të vetëshpallur të xhamisë së Unazës së Re dhe asaj të Mëzezit, si dhe Gert Pashja, Edmond Balla, Zeqir Imeri, Verdi Morava, Fadil Muslimani. Astrit Tola e Orion Reçi që u akuzuan për krime që lidheshin me terrorizmin dhe kanë marrë tashmë dënimin.
Ndërsa emrat e të huajve të deklaruar zyrtarisht nga Policia shqiptare që kanë tentuar akte terroriste në Shqipëri janë Peyman (nuk jepen të dhëna të tjera), Abdolkhalegh Malek Zadeh, që njihet si “Ferhat”, Erwin Aram, njihet si “Alireza Naghashzadeh” dhe Abdulselam Turgut.
Shqipëria ka qenë vazhdimisht pjesë e përpjekjeve rajonale dhe ndërkombëtare për të parandaluar dhe për t’iu kundërvënë kërcënimeve terroriste. Janë miratuar ligje të reja në përputhje me rezolutat e njohura të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të cilat adresojnë rrezikun e luftëtarëve të huaj terroristë dhe ekstremizmit të dhunshëm.