Pastori Akil Pano: Berisha na solli konservatorizmin 3 vjet më parë, pasi u shpall non grata nga SHBA

Pastori i “Foltores”, Akil Pano, thotë se Sali Berisha ka sjellë konservatorizmin 3 vjet më parë, pasi u shpall non grata nga SHBA
“Vetëm në Shqipëri mungon dimensioni moral dhe shpirtëror i asaj që ne e njohim si politikë. Mungon në thelb. Është e vështirë që në Shqipëri, të paktën deri para 3-4 vitesh, para se lideri historik i së djathtës në Shqipëri, doktor Berisha, të kalonte ato peripeci të veta, dhe nëpërmjet foltoreve, për hir të së vërtetës, në një farë mënyre, u vendos një komunikim i drejtpërdrejtë dhe konservator në Shqipëri.
Në Shqipëri ka qenë e vështirë të ndahet dimensioni ideologjik i së djathtës dhe i së majtës, sepse këto kanë qenë çështje në harresë ose janë shpërfillur qëllimisht ose jo qëllimisht”, tha pastori për Sonila Meçon.
Nuk dihet përse Berisha, priti kaq shumë, për të sjellë konservatorizmin në Shqipëri, por as pastori nuk ka e shpjegoi, as Sonila nuk e pyeti.
Më tej, pastori analizoi dhe zgjedhjet në Amerikë, duke thënë se njerëzit atje manipulohen letësisht.
“Për t’u kthyer në kontekstin amerikan, në thelb, në ideologjinë konservatore, ashtu si edhe në ideologjinë liberale të majtë ose komuniste — fjala komunizëm është më e përshtatshme këtu — qëndron edhe Wokeizmi, dhe lëvizje të tjera që lidhen me idenë e shpërbërjes së familjes, genderizimit të fëmijëve, me martesat brenda të njëjtës gjini, më tej me transgjinorizmin. Kur shkojmë tek sovranizmi, dalin në pah problemet e mëdha me kufijtë dhe rreth 22 milionë refugjatë nga Amerika e Jugut që kanë hyrë në SHBA.
Nuk e di sa janë në gjendje nga ajo pjesë e elektoratit gri në Amerikë të kuptojnë realisht këtë që po ndodh në vendin e tyre.
Unë shoh që masa është e manipulueshme, njerëzit manipulohen krejt lehtë. Po flasim për ata persona të cilët nuk marrin përsipër përgjegjësinë individuale për të votuar.
Një nga momentet kritike në këtë fushatë ishte loja që e majta bëri ndaj Trump-it; e zhvendosi lojën nga platformat elektorale tek gara e personalitetit”, tha pastori, që me sa duket njeh realitetin jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Amerikë.
Madje njeh dhe mentalitetin e amerikanëve, që u manipulokan krejt lehtë.