Hetimet për “21 janarin”/ Beqiri: Po shkojnë drejt finalizimit, Sali Berisha do arrestohet për këtë vepër

Hetimet për 21 janarin po ecin me ritme të shpejta dhe kjo dëshmohet nga personat që janë thirrur në SPAK. Avokati i njohur, Idajet Beqiri, i ftuar në “Tirana Live” me gazetaren Elisa Gjerani u shpreh se për këto vrasje do japin shpjegime edhe familjarët e viktimave. Sipas avokatit, kjo çështje po shkon drejt finalizimit.
“Po hetohet intesivisht dhe kjo është shenjë e mirë dhe po ecën me hapa të mirë SPAK. Do japin shpjegimi gjithë familjarët e viktimave. Është proces që po shkon drejt finalizimit”, tha ai.
Ai tha se SPAK është bindur në atë që Gjykata e Strasburgut i ka cilësuar vrasjet e 21 janarit si vrasje shtetërore.
“SPAK është bindur që gjykata e Strasburgut kur thotë se vrasja e 21 janarit është vrasje shtetërore”, tha ai.
Avokati shkoi më tej duke thënë se brenda dy muajsh mund të arrestohet ish-kryeministri Sali Berisha për 21 janarin dhe ish-ministri i Brendshëm si dhe ish-kreu i Policisë së Shtetit të asaj kohe.
“Maksimumi për dy muaj, nga ecuria siç po ecën, ne do kemi të arrestuar për këtë vepër penale Sali Berishën. Ai është i dyti [referuar ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha]. Ai ka probleme të renda, edhe për ish drejtorin e Policisë së Shtetit edhe për sekretin e përgjithshëm të qeverisë. Do ketë penalitet edhe për mjekët që bënë aktet e ekspertimit. Është dosje e nxehtë dhe do kemi plotë probleme”, tha ai.
Më 21 janar të 2011, në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ 4 protestues u vranë. Viktima mbetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Hetimi për çështjen “21 janari” u regjistrua në SPAK në korrikun e këtij viti, në zbatim të një vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila urdhëronte Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Ndrea Prendit./ abcnews.al