“Milosheviçi dhe unë” sjell Gérard Depardieu në Gjirokastër

Gérard Depardieu, aktori i mirënjohur francez është në Gjirokastër për të xhiruar skena nga një film.

Megjithëse sheshxhirimi është mbajtur larg interesit të kamerave dihet se Depardieu do të luajë në filmin e regjisorit nga Prishtina, Arben Kastrati, të titulluar “Milosheviçi dhe unë”.

Filmi është një bashkëprodhim kosovar-francez dhe në të do të aktrojnë edhe aktorë të tjerë të njohur francezë, si Nathalie Boyer dhe Alessandra Martines.

Filmi sjell ngjarje të vitit 2003 që përkojnë me periudhën e pasluftës në Kosovë. Rrëfimi i personazhit kryesor dhe përjetimit të tij mbi ngjarjet përshkon filmin duke përcjellë tragjizëm, skena komike dhe realitetin e një populli që përjeton ditët e para të lirisë.

Depardieu pritet të nderohet zyrtarisht me “Çelësin e qytetit” të Gjirokastrës në një ceremoni që do të mbahet gjatë ditëve të xhirimit në këtë qytet.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT