“Populli vendosi”/ Biden flet për herë të parë pas fitores së Trump: Po lëmë pas ekonominë më të fortë në botë

Presidenti Joe Biden foli sot për herë të parë nga Shtëpia e Bardhë pas fitores së Donald Trump në zgjedhje.
Presidenti deklaroi se pranon rezultatin e zgjehdjeve, të cilat sipas tij ishin demokratike dhe të lira.
“E pranojmë zgjedhjen që populli bëri. Për mbi 200 vjet, Amerika ka kryer eksperimentin më të madh në vetëqeverisje në historinë e botës. Kjo nuk është hiperbolë. Ky është një fakt. Aty ku populli voton dhe zgjedh liderët e tij, dhe ata e bëjnë këtë në mënyrë paqësore. Dhe ne jemi në një demokraci. Vullneti i popullit gjithmonë mbizotëron. Dje fola me Presidentin e zgjedhur Trump për ta uruar për fitoren e tij dhe e sigurova se do ta drejtoja të gjithë administratën time që të punojë me ekipin e tij për të siguruar një tranzicion paqësor dhe të rregullt. Kjo është ajo që meriton populli amerikan”, tha ai.
Ndër të tjera ai bëri thirrje mbështetësve të tij të mos dorëzohen, ndërsa deklaroi se edhe pse humbën betejën, “Amerika e ëndrrave tuaja po ju bën thirrje të ngriheni sërish”.
“Unë e di që për disa njerëz është koha për fitore. Për të tjerët, është një kohë humbjeje. Fushatat janë gara, vizionesh konkurruese. Vendi zgjedh njërën ose tjetrën, ne e pranojmë zgjedhjen që bëri vendi. Nuk mund ta duash vendin tënd vetëm kur fiton. Nuk mund ta duash fqinjin tënd vetëm kur je dakord.
Diçka që unë mendoj se ju mund të bëni pavarësisht se për kë keni votuar është ta shihni njëri-tjetrin jo si kundërshtarë, por si amerikanë të bashkuar. Ne po lëmë pas ekonominë më të fortë në botë. Tani kemi 74 ditë për të mbaruar mandatin, mandatin tonë, le t’i numërojmë çdo ditë”, tha Biden.