VIDEO/ Katër muaj më parë ishte hero se shpëtoi danezët nga mbytja, sot Alfred Mashanit i bllokohet varka se dëmton Vjosën! Ai shan live gazetarin në Facebook

Gazetari i jugut, Aran Xhani ka njoftuar se një gomone me motor që përdorej për ekspedita në ujërat e Vjosës, pranë Përmetit, është ndaluar nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. Sipas tij, arsyeja e vendimit është se dëmton florën dhe faunën e lumit të shpallur Park Kombëtar.
“Pamje deshperuese por; fale reagimit te menjehershem te Agjesise se Zonave te Mbrojtura Gjirokaster, ky perbindesh qe shkaterron faunen dhe floren e lumit Vjosa s’do mund te lundroje me, pasi do perballet me gjoba marramendse”, shkruan gazetari.
Aran Xhani ndan dhe një video që tregon sesi varka me motor, e cila rezulton se i përket Alfred Mashanit nga Këlcyra dhe që merret me ekspedita në Vjosë, përshkon ujërat e lumit të fundit të mbetur i egër në Europë.
Mirëpo, pavarësisht se si gazetar i jugut ka pasqyruar vetëm lajmin për vendimin e marrë nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura në Gjirokastër, Aran Xhani është përballur me një gjuhë vulgare dhe të papranueshme nga pronari i varkës, Alfred Mashani.
Ai i ka komentuar gazetarit në videon që tregon varkën me motor në rrjedhën e Vjosës dhe përpos se e akuzon se “i ka vënë pas ata të Zonave të Mbrojtura që ta sulmojnë”, përdor dhe një gjuhë të papranueshme ndaj Aran Xhanit.
“Ke quan pamje deshperuese ti ore ordiner, ore i digjeneruar. Varka ime ta ka fajin ty plere qe nuk ze dot peshk. Ti i ke leshuar ata te zonave te mbrojtura qe te me sulmojn mua. Po varka ime eshte prodhuar apostafat per zona te mbrojtura dhe parqe kombetare dhe nuk do mund ta ndalosh dot as ti e as te gjith byth***at si ty”, shkruan Alfred Mashani.
Katër muaj më parë, pronari i kësaj varke që përdoret për ekspedita turistike në Vjosë u kthye në një hero pasi arriti të shpëtonte nga mbytja tre turistë danezë. Lajmi mori dhenë atë kohë, ndërsa sot Alfred Mashanit i bllokojnë varkën sepse e akuzojnë se po dëmton florën dhe faunën e Vjosës.