27% e shqiptarëve me zor mbyllin muajin, 71% nuk kursejnë dot

Shoqata Mikrofinanca Shqiptare ka organizuar një takim ku bëri publike rezultatet e një vëzhgimi lidhur me edukimin financiar në Shqipëri.

Në të merrnin pjesë drejtues të institucioneve financiare, ekspertë të njohur të fushës, studiues, përfaqësues të medias dhe grupeve të interesit.

Në sondazhin e zhvilluar në shtator të vitit 2019 morën pjesë 500 të intervistuar të moshës mbi 18 vjeç.

Ai përbëhej nga tre pjesë kryesorë: Njerëzit dhe të ardhurat e tyre, Kreditë jobankare dhe Edukimi Financiar.

Gjithashtu, për sa i përket shpërndarjes demografike, 50% e të intervistuarëve ishin meshkuj dhe 50% femra, 55% e tyre banonin në zonat rurale dhe rreth 47% e të anketuarëve vinin nga qarqet qendrore të vendit, Durrës, Elbasan dhe Tiranë.

Rezultatet e sondazhit:

Sipas përfundimeve ka rezultuar se për rreth 41% e të intervistuarëve janë të punësuar në sektorin privat, ama duket se shqiptarët i vuajnë shumë pasojat e papunësisë dhe varfërisë. 27% e të intervistuarëve kanë pranuar se mezi mbyllin muajin dhe se nuk kanë para mjaftueshëm për ushqim.

Kjo e rendit Shqipërinë në pozicionin më të keq krahësuar me gjithë vendet e rajonit.

Nga ana tjetër 46% e të intervistuarëve janë shprehur se kanë para mjaftueshëm për ushqime, por hasin vështirësi për blerjen e rrobave dhe pajisjeve shtëpiake.

Megjithatë duket se e gjitha ngelet tek përmbushja e nevojave bazike, pasi 64% e të intervistuarëve kanë pranuar se nuk janë në gjendje të kursejnë para nga rrogat e tyre.

Në zonat rurale kjo shifër bëhet edhe më serioze dhe arrin në 71%.

Nga sondazhi gjithashtu rezulton se vetëm 9% e të intervistuarve, shumica e të cilëve i përkasin grupmoshës 35-54 vjeç dhe banues në zonat urbane kanë marrë kredi, por jo nga institucione bankare apo financiare.

Dy arsyet kryesore pse njerëzit përdorin kredi jobankare janë shpejtësia dhe lehtësia e ofrimit të informacionit.

Për sa i përket edukimit financiar, 49% e të intervistuarëve kanë pranuar se njohuritë e tyre përsa i përket kësaj fushe janë mesatare ose të pakta, veçanërisht tek të intervistuarit e grupmoshës 35-54 vjeç dhe ata të grupmosës 18-34 vjeç.

Madje 21% e të intervistuarëve pranuan se nuk i kanë kushtuar ndonjëherë rëndësi kësaj çështje.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT