Keqpërdorimet me rezervat shtetërore/ Kurti nuk paraqitet në Prokurorinë Speciale, kryeministri: Jam i gatshëm t’i pres në zyrë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur sot në orën 09:30 pranë Prokurorisë Speciale të Kosovës, siç ishte ftuar për të dëshmuar.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Liridona Koqmezi, njoftoi se Kurti ndodhet jashtë vendit dhe nuk ka mundur të paraqitet në kohën e caktuar.
Zyra e Kryeministrit konfirmoi udhëtimin e Kurtit dhe shtoi se ai është i gatshëm të dëshmojë, duke shprehur hapjen për t’u takuar me prokurorët në zyrën e tij në një datë dhe orar tjetër.
Prokuroria Speciale do të përgatisë një ftesë të re për Kurtin, ndërkohë që mësohet se ai do të dëshmojë në lidhje me akuzat për keqpërdorimin e rezervave shtetërore. Sipas informacioneve, ai nuk do të gjobitet për mungesën, pasi arsyeja është e justifikuar.