Cakaj: Qeveria të dorëhiqet? S’na lenë gjermanët të ikim

Ministri në detyrë për Punët e Jashtme, Gent Cakaj kur u pyet se pse qeveria nuk dha dorëheqjen pas dështimit me hapjen e negociatave siç ndodhi në Maqedoni, thotë se niveli i përgjegjësive është i ndryshëm.

I ftuar në “KTV”, Cakaj thotë se Bundestagu i ka dhënë disa detyra Shqipërisë, për të cilat qeveria nuk mund të japë dorëheqjen.

“Ne nuk kemi bërë zotime të prera se negociatat do të hapen. Faktori i parë. Në rastin e Maqedonisë së Veriut ka organizuar një referendum për ndryshimin e emrit shtetëror. Bashkimi Evropian dështoi të mbajë një prej premtimeve të tij”, ka thënë ai.

“Dhe kryeministri Zaev dha dorëheqje”, ka vazhduar gazetari.

“Faktori i parë është rrethanor. Nivelet e përgjegjësive para opinionit të brendshëm janë krejtësisht të tjera. Faktori i dytë është strukturor se në Shqipëri nuk ka hapësirë për dorëheqje. Në qëndrimet e Bundestagut, Shqipëria detyrohet për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR për reformën elektorale dhe ne jemi në mes të kësaj reforme. Nuk mund të ketë zgjedhje elektorale në Shqipëri pa mbarim të reformës elektorale. Ne jemi në një situatë kur nuk kemi Gjykatë funksionale Kushtetuese”, tha Cakaj.

“Shqipëria është në mes të një reforme dhe kjo reformë duhet të konsolidojë rezultatet e saj para se Shqipëria të jetë në gjendje për të diskutuar për zgjedhjet e parakohshme. Politikisht, krahasimi me Maqedoninë nuk qëndron”, ka shtuar ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT