Pse do duhej të votonte një emigrant që është larguar nga Shqipëria?

Nga Bledi Lumani

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e 2025, e cila ka nisur prej javësh tashmë, është fokusuar tek dy grupe: pensionistët dhe emigrantët.

Me të parët, socialistët e “zgjidhën” disi problemin, duke iu dhënë një shpërblim të “majmë” për festat e fundvitit, krahasuar me shpërblimet e mëparshme, dhe iu kanë premtuar dhe një shpërblim tjetër në pranverë, ndërsa demokratët iu thonë se nëse vinë ata në pushtet, s’do dinë ku t’i çojnë lekët që do marrin.

Me të dytët është pak më e komplikuar situata, por edhe shumë më hipokrite.

Ata që i larguan nga Shqipëria, iu janë vërsulur emigrantëve të shkretë, të parët, socialistët, duke iu thënë se sa krenarë ndihen tani ata, që janë shqiptarë në vendet ku kanë emigruar, falë qeverisjes socialiste, që ia ka ngritur kokën dhe emrin Shqipërisë, të dytët, demokratët, që iu thonë se ata janë shpëtimi i vetëm i Shqipërisë për të rrëzuar diktaturën dhe narkoshtetin e krijuar nga socialistët, ndaj dhe duhet të votojnë, pas 30 e ca viteve rrugëve të botës, sërish Sali Berishën, se ky është shpresa e Shqipërisë.

Tani, një emigrant mund të pyesë me të drejtë, pse dreqin duhet të votojë në Shqipëri, kur ai është larguar dhe ka vendosur të jetojë në një vend tjetër?

Që të mbajë në pushtet Ramën, apo të risjellë Sali Berishën? Po a nuk janë larguar ata nga Shqipëria, pikërisht për shkak të qeverisjes së tyre?

Çfarë ka ndryshuar? Shqipëria tashmë nuk është më një vend i korruptuar, në administratë s’ka kurfarë politizimi dhe punësohen vetëm të aftët dhe ata që e meritojnë, në spital mund ta marrësh shërbimin në kohë dhe pa paguar ryshfet, arsimi është në ditët e tij më të mira, Tirana është plot me parqe ku mund të luajnë fëmijët, siguria është si kurrë më parë dhe s’bëhet fjalë larg qoftë, që të vritet ndonjë kalimtar i rastit nga lufta mes bandave, kriminelët dhe trafikantët e drogës që investonin për ngritjen e kullave gjigande janë zhdukur, trafiku është normalizuar, ajri është më i pastër se kurrë, ushqimet që konsumohen janë të certifikuara si në vendet e BE, politika është paqtuar dhe tani mendojnë vetëm për mirëqenien e popullit?

Asgjë prej tyre nuk ka ndryshuar në fakt, dhe ata që kanë ikur, e dinë më mirë se kushdo, se ndryshe nuk do të ishin larguar!

Shqipëria fatkeqësisht është i njëjti vend që ka qenë, dhe duket se kështu do të jetë edhe për një kohë të gjatë, pavarësisht fasadës së bukur, si një vend që ka ndryshuar faqe rrënjësisht dhe tani ka shumë më shumë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT