Pse duhet që taksapaguesit që jetojnë në Shqipëri të paguajnë për emigrantët që duan të votojnë?

Nga Dardan Malaj

Përtej debatit populist për votën e emigrantëve, pse duhet që taksapaguesit që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri të paguajnë jo vetëm koston e dërgimit të fletës së votimit jashtë por edhe atë të kthimit mbrapsht për shtetasit shqiptarë që kanë zgjedhur të jetojnë dhe punojnë jashtë vendit?!

Ata emigrantë që ruajnë ende interesin për të votuar për zgjedhjet në Shqipëri besoj e bëjnë vet me kënaqësi atë postimin e zarfit mbrapsht jo vetëm se nuk u rëndon në raport me të ardhurat atje por edhe si një detyrim qytetar ndaj vendit mëmë!

Remitancat? Buxheti shpërdorohet në forma tjera, çfarë na kushton se përballuam edhe këtë kosto? Janë argumente thjesht për të relativizuar diskutimin parimor nëse ja vlen tia ngarkosh Buxhetit të Shtetit (lexo taksapaguesve që jetojnë e punojnë në Shqipëri) koston e dyfishtë apo më e drejtë ta ndash në dysh me ata që kanë zgjedhur që për një jetë më të mirë të jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

Nëse argumenti populist janë remitancat, sigurisht është shumë më dinjitoze që këtë “borxh” të jua kthesh me shërbime më të mira konsullore në ambasadat shqiptare në vendet ku ata janë se sa t’ua paguash një zarf postar.

Janë harxhuar jo pak lekë për identifikimin elektronik të zgjedhësve por kjo nuk shmangu akuzat; janë harxhuar jo pak lekë për kamera në qendrat e votimit por kjo nuk shmangu akuzat; janë harxhuar shumë lekë për votimin dhe numërimin elektronik në disa zona por aktorë politik kryesor sot e kontestojnë dhe nuk e duan.

Realiteti është se mungesa e besimit reciprok mes aktorëve politik në një proces zgjedhor po e bën atë gjithnjë e më të kushtueshëm për taksapaguesit por pa e zgjidhur problemin thelbësor.

Sigurisht ky lloj debati kërkon medomosdo që qytetarët ta konsiderojnë buxhetin e shtetit si të tyrin dhe jo si diçka që s’u përket atyre.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT